E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë shqiptare për Filippo Bettini-n

AGRON TUFA

U pikëllova shumë pas mesazhit telefonik të Blerinës: Filippo Bettini vdiq sot…. Nuk bëhet fjalë thjesht për vdekjen e një 62-vjeçari, një të njohuri në vargun e pafund të njohjeve, që shorti na i sjell dhe kujtesa rreket tu gjejë një vend, një domethënie të pashkatërrueshme, nëse përndryshe – me kohën që vë përposh male dhe luanë – nuk ia ka dalë ti zbehë e vagëllojë fytyrat e tyre në fantazma mjegullore. Fill pas një grimë topitjeje, përgjatë gjithë mbrëmjes, nuk mu shqit profili i qartë i dandy-t aristokrat 55-vjeçar, ashtu siç e kisha njohur unë në verën romane të vitit 2005, veshur thjesht e me shije të paspitulluar, një kompromis i butë midis stilit klasik dhe shpërfilljes altruiste. Profesor Bettini kishte një aurë që përhapte një prani qetësuese; bashkëbiseduesi e ndiente këtë menjëherë, nën vështrimin e thellë e përshëndetës të syve të butë e të kaltër. Ishte i gjithi përqendrim, a thua se rrekej të përthithte dhe nuancat më të holla të fjalëve, gjesteve të tua! Më pati lënë mbresë të thellë konstrukti masiv i kafkës së tij, thuajse pa flokë, që më përqasej me atë të Mishel Fukosë, por mbi të gjitha buzëqeshja e tij, që shkrihej në një pikë të ngulët me vështrimin e syve kaltëroshë, një buzagaz i habitur, fëmijëror, që shpërhapej prej së brendshmi në rrathë koncentrikë dhe derdhej e rrezatonte edhe jashtë tij. Gjatë gjithë kohës 13-ditore në festivalin Mediterana që drejtonte, e kam parë të gjente momente për secilin, të shkëputej nga shoqëria e pandarë e mamasë dhe bashkëshortes (përndryshe dhe koleges së tij në La Sapienza) dhe tu avitej tu kushtonte vëmendje të posaçme çdocilit prej poetëve të huaj, të gjente me ta temën e parapëlqyer të kuvendimit. Gjithë kohën tjetër, para performancave poetike në Romë, Ladispoli, Cerveteri, Santa Marinela, Anzio, Lavinio, Nettuno – profesor Bettini-n e shihje të rrethuar me bashkëpunëtorët dhe asistentet e tij – Blerina Sutën, Cristiana Muto, Camilla Marino etj. Në ato çaste ai njëmend shndërrohej në një njeri orkestër. Filippo Bettinni, një ndër miqtë më të sinqertë e të përkushtuar të shqiptarëve, vdiq më 28 korrik 2012. Në e mail-in e dërguar, Blerina më njoftonte se një ditë më parë Bettini i kishte telefonuar për të mësuar më shumë mbi rrethanat e vdekjes së poetit Ali Podrimja, të cilin ai e pati dashur e vlerësuar aq shumë, sa u bë dhe bashkëpërkthyes i librit të tij të vetëm në italisht (Deserto invasivo, 2007, De Angelis). Kishte vdekur po atë natë nga një infarkt. I mistershëm ky përkim i vdekjes së dyfishtë: të poetit dhe përkthyesit të tij.
2
Përse vallë ti interesonin shqiptarët një profesori roman të La Sapienza-s, këtij teoricieni, studiuesi e kritiku të famshëm letrar të neoavangardës? Së bashku me Francesco Muzzioli-in, Marcello Carlino-n, Aldo Mastropasqua-n, Giorgio Patrizi-n, Filippo Bettini përndezi debatin letrar italian e më gjerë të viteve 70 me inkursionet teorike e analizat e mprehta interpretuese të krijimtarisë së Gramsci-t, Edoardo Caçiatore-s, Paolo Volponi-it etj. Më vonë, në vitet 80-90, kemi një arrati pasionante të Bettini-t në kërkim të fillit të Ariadnës -një rindërtimin i historisë së Romës, përmes poezive të shkruara përgjatë kohërave, duk u shndërruar një guidë intelektuale erudicioni e meditimi mbi marrëdhëniet e muzave me qytetin e përjetshëm. E pra, ky bir i qytetërimit, bashkëpunëtor e redaktor revistash shkencore, themelues dhe drejtues i festivalit ndërkontinental Mediterranea, botues i katalogëve poetikë në gjuhët origjinale dhe italiane, përse interesohej për kulturën shqiptare, për praninë dhe përfaqësimin e saj në ballafaqimet më të larta me kulturat e tjera të kontinentit? Fare pak gjëra dija mbi Filippo Bettini-n. Isha student në institutin Gorki, kur emrin e tij ma pati përmendur për herë të parë studiuesja dhe kolegia ime, Blerina Suta. Edhe këtë herë kishte qenë profesor Bettini që i kishte sugjeruar koleges sime të zgjidhte e të përkthente një poet të ri shqiptar për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të poezisë Tivoli, që mbahej në Romë. Dy vite rresht u përfaqësova në atë konkurs, duke zënë dy herë vendin e dytë. Në të dyja herët në juri kishte qenë një profesor i La Sapienza-s me mbiemër Nishi, që kishte ngritur kartonin me zero pikë, përkundër vlerësimeve maksimale të jurisë. Ky profesor shqiptarofob kishte një bindje për prejardhjen e tij të largët serbe, nga qyteti i Nishit. Gjesti i tij e kishte lënduar shumë Bettini-n. Për mua mbetej e habitshme përse i afronte dhe i ndihmonte shqiptarët profesori roman. Mos vallë, thjesht për një farë hoby ekzotik? Përse këmbëngulte të tërhiqte sa më shumë studentë shqiptarë në La Sapienza e mandej, ti udhëhiqte në studimet pasuniversitare? Mos ndoshta nga një mëshirë humane, duke ditur historinë në zgrip të mbijetesës së shqiptarëve? Përse kur ishte president i çmimit prestigjioz Ferronia, ai ia dha këtë çmim Ismail Kadaresë në 1999-n, pikërisht para momentit historik të bombardimeve mbi Serbi? Përmbledhja e përvjetorit të dhjetë të këtij çmimi, për vitin 1999 ka si titull një varg të poezisë së Podrimjes: Quel dio che non avemmo. I papranishëm në takim me motivin jam i zënë për të varrosur të vdekurit e mi, Podrimja i dha ngjyrën e tragjedisë ballkanike kësaj ngjarjeje të zhvilluar në Campidoglio, pikërisht kur ngjitur, ne Altare della Patria, ngriheshin flamuj protestash kundër bombardimeve. Përse vallë këmbënguli aq shumë profesor Bettini të nguliste në kulturën italiane autorët shqiptarë, duke marrë vetë pjesë në përkthimin e krijimtarisë e mundësimin e botimeve të poetëve shqiptarë F. Arapi, V. Zhiti, A. Podrimja, A. Tufa, G. Hajdari? Mos vallë, si njohës i hollë i historisë, ky shkencëtar italian ndiente ndofarë pendese për vitet tragjike të pushtimit të Shqipërisë nga bashkëkombësit e tij fashistë? Por kur në edicionin e festivalit Meditteranea 2009 që ai drejtonte, nxiti e mundësoi në qendër të Romës një ekspozitë rrëqethëse me masakrat, varret masive, fëmijët dhe femrat e hedhura puseve, rrënojat e shkatërrimet në Kosovë, e sidomos me varganët apokaliptikë të të dëbuarve shqiptarë nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, pra, kur ekspozita e krimeve serbe në Kosovë iu ekspozua mijëra vizitorëve të llahtarisur nga gjithë Europa dhe kur ambasadori serb në Romë e paditi në Gjykatë si nxitës të urrejtjes ndëretnike, atëherë po, them se dija diçka për këtë shqiptardashës e shqiptarmbrojtës, që vepronte i vetmuar, në kokë të vet e për kulmin e kënaqësisë që i jepte një lidhje e fortë, e vjetër dhe e fshehtë, e siç do ta shohim, lidhje edhe familjare me Shqipërinë dhe Kosovën.
3.
Amfiteatër antik në gjirin e detit Tirren. Në programin e Festivalit, në Lavinio, atë mbrëmje gushti me hënë thuajse të plotë, në orën 11:00 të natës do të lexoheshin për 1 orë e gjysmë pjesë nga poema e Virgjilit Eneida. Asnjë dritë, përveç rrezeve të plota të hënës. Sipas Virgjilit dhe shkrimtarëve romakë, në atë gji deti thuhej se kishte zbritur sefte në tokën romane Eneu, duke e braktisur Kartagjenën dhe mbretëreshën e saj Didona, në emër të themelimit të dinastisë së tij lavdimadhe perandorake. Ishte qetësi e përkryer para fillimit të leximeve: vetëm llokoçitja e dallgëve të detit dëgjohej tej mureve të amfiteatrit. Mandej zërat e aktorëve në latinisht dhe italisht, nën hënën e ulur mbi det, krijuan efektet e magjishme të një transcendence metahistorike. Soara u bënë fir shekujt; udhëtimi i ngadaltë i Eneut, si shigjeta e Eleatit; ankorimi në brigje, mandej – zbritja dhe pesha tragjike, solemne e rrëmeteve të bartura të Trojës – dridhej e shpleksej nën ritmet e dallgëve dhe hekzametrit latin. Jehu e kumbi i kësaj ligjërate shtrohej e tëhollej filigran në muzikalitetin e përjetshëm dadaist të italishtes. Kur mbaroi magjia, u zhvendosëm në qendër të qyt

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›