Vizita e Merkelit e vendos Moldavinë në rrugën drejt Evropës
Vizita e kancelares gjermane në Kishinau vlerëson aspiratat evropiane të Moldavisë, por rruga drejt Brukselit është plot me sfida, thonë analistët
Vizita së fundi e Kancelares së Gjermanisë Angela Merkel në Moldavi tregon një ndryshim këndvështrimi të Perëndimit në lidhje me republikën ish-sovjetike, por shansi evropian i vendit nuk është aq i qartë sa duket në teori, me shumë pengesa përpara, thanë analistë për SETimes. Moldavia ka bërë përparim të konsiderueshëm e është bërë një nga shtetet kryesore në Partneritetin Lindor të BE-së, tha ajo gjatë vizitës së saj një-ditore në Kishinau më 22 gusht. Moldavia ka një shans evropian, por integrimi i vendit në BE duhet të kryhet gradualisht e hapat e parë do të jenë një marrëveshje për tregtinë e lirë dhe shoqërimin që po diskutohet tani nga të dyja palët e pritet të nënshkruhet më vonë këtë vit. "Mesazhi më i rëndësishëm i vizitës së Merkelit është se u krye. Ajo e ka vënë Moldavinë në hartën evropiane", tha për SETimes Dan Dungakiu, drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Akademisë Rumune e këshilltar për ish-Presidentin moldav Mihai Ghimpu. "Pavarësisht nga kjo, rruga e Moldavisë drejt BE-së nuk ka qenë asnjëherë e pakthyeshme. Kishinau nuk ka asnjë garanci, asnjë dokument të nënshkruar, se fundi i rrugës do të jetë në BE. Fatkeqësisht, Moldavia është pjesë e një pakete të dështuar, Partneritetit të Lindjes, ndryshe nga Ballkani Perëndimor. Pa përmendur që atje nuk ka as elektorat të qëndrueshëm pro-Perëndimor," tha ai. Partneriteti Lindor u fillua nga BE në maj 2009 me nismën e Polonisë e Suedisë dhe parashikon forcimin e marrëdhënieve të Brukselit me gjashtë republika ish-sovjetike: Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Gjeorgjia, Moldavia e Ukraina. Edhe analistë të tjerë kanë pikëpamjen Dungakiut. "Nuk ka asnjë shans të qartë për integrimin e Moldavisë në BE", tha për SETimes Kristian Ghinea, drejtor i Qendrës Rumune për Politika Evropiane. "Vendi nuk ka një segment të rëndësishëm të popullsisë të gatshme që të bashkohet me BE-në e për shkak të kësaj i mungon fuqia e bisedimeve e një vrull reformist". Në sondazhin e fundit të kryer nga Instituti për Politika Publike i Moldavisë, 57 përqind e të anketuarve zgjodhën që vendi të hyjë në Bashkimin Euro-Aziatik, një nismë e Moskës për të krijuar një kundërpeshë ekonomike ndaj BE-së. Merkeli nxiti gjithashtu administratën pro-evropiane në Kishinau që të ripërtërijë përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e ngrirë të Transdniestrias. "Mendoj se edhe këtu duhet të përparojmë hap pas hapi, me durim," tha ajo, duke vënë në dukje se mendon se formati 5+2 (OSBE, Rusia, Ukraina, BE e SHBA, plus Moldavia e Transdniestria) është kuadri më i mirë i bisedimeve. Por Dungaku theksoi se Merkeli kishte dërguar mesazhe të kundërta". Ai tha që në fillim se Gjermania nuk i toleron sferat e ndikimit në shekullin e 21-të, duke aluduar për Rusinë e më pas se zgjidhja e konflitit të Transdniestrias është kusht themelor i hyrjes së Moldavisë në BE. Por mesazhi i dytë barazohet me dhënien e një të drejte veto Rusisë për hyrjen e Moldavisë në bllokun komunitar. Transdniestria mbetet problemi më i madh i Moldavisë," tha ai. "Moldavia me Transdniestrinë është si Serbia me Kosovën, ku asnjëra nuk mund të hyjë në BE pa një zgjidhje përfundimtare të secilës gjendje," tha Ghinea. Rajoni separatist i Transdniestrisë që shtrihet në brigjet lindore të Lumit Dniester u nda nga Moldavia më 1990 mes frikës për një bashkim me Rumaninë. Veprimi shkaktoi një luftë dy vjet më vonë, ku 1000 persona u vranë, gjë që bëri që Rusia të dërgojë ato që i quan trupa paqeruajtëse. Rreth 1000 trupa ruse janë ende të vendosura në republikën e vogël separatiste. Në Kishinau, analistët moldavë shohin në anën e shkëlqyeshme të vizitës së Merkelit. "Prania e thjeshtë e Znj. Merkel këtu ka ardhur për të vërtetuar ndryshimin e pikëpamjes së Perëndimit ndaj Moldavisë, që sot shihet si një nxënës i zellshëm i Partneritetit Lindor", tha Vitali Çobanu, një shkrimtar e analist politike moldav. "Gjatë 21 vjetëve pas pavarësisë së Moldavisë të shpallur mbi rrënojat e perandorisë sovjetike, kancelaritë perëndimore e neglizhuan këtë rajon, duke e konsideruar si sferë të ndikimit të Rusisë. Ky perceptimi ka ndryshuar pas revoltës kundër komunizmit në prill 2009. Për popullin këtu, vizita e saj është si një rreze drite," tha ai.