Lamtumirë Piro Milkani! Ikona e artit shqiptar shuhet në moshën 86-vjeçare

Me dhimbje të thellë, bota e artit shqiptar i dha sot lamtumirën e fundit një prej figurave më të ndritura të saj – regjisorit, skenaristit dhe pedagogut Piro Milkani, i cili u nda nga jeta më 24 maj 2025 në moshën 86-vjeçare.
Piro Milkani u përcoll për në banesën e fundit përmes tingujve të muzikës së filmit të tij të fundit, “Trishtimi i Zonjës Shnajder”, një vepër e thellë dhe personale që përmbylli me dinjitet karrierën e tij brilante.
Emra të njohur të kinemasë shqiptare, aktorë, regjisorë, studentë të tij dhe bashkëpunëtorë ndër vite, folën me respekt dhe mall për kontributin e jashtëzakonshëm që ai i ka dhënë filmit dhe kulturës kombëtare.
“Kishte një energji dhe një kurajë të jashtëzakonshme. Dëshirën për të jetuar dhe për të shijuar jetën. Ishte një njeri që pothuajse i provojë të gjitha dhe sikurse e thotë dhe tek video e vetë përshëndetëse thotë; Unë jam regjisor, skenarist , aktor, por unë jam kineast,” shprehet i biri Eno Milkani.
Ndërsa Bujar Kapexhiu u shpreh për RTSH se “është një humbje e madhe për familjen, shoqërinë, por edhe për artin shqiptar. Një figurë e shquar e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në thesarin e artit dhe kinematografisë shqiptare”.
Aktori Nik Xhelilaj theksoi se “ do ta kem gjithmonë në zëmër, gjithmonë të paharrueshëm. Ndërsa për të tjerët ka qenë një regjisor i jashtëzakonshëm për mua ka qenë një prind. Ishte një nga regjisorët që sot vazhdon akoma për mua të jetë më i miri në raport mirësie, qetësie edhe mjeshtërie.”
Mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur, Piro Milkani, ka ardhur dhe nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili shpreh vlerësimin për kontributin e Milkanit në artin dhe kulturën shqiptare.
Lamtumirë mjeshtër Piro Milkani! Një figurë e dashur, një artist i jashtëzakonshëm, një njeri që i fali shpirt kinemasë sonë dhe i dha kuptim brezave të tërë me artin dhe urtësinë e tij. Me filma që i kanë rezistuar kohës si “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur” dhe “Zonja nga qyteti”, ai skaliti vepra arti, që sot janë pjesë e identitetit tonë kulturor.
Piro Milkani do të kujtohet gjithmonë për filmat e tij të paharrueshëm si dhe për përkushtimin e tij ndaj artit dhe edukimit të brezave të rinj. Trashëgimia e tij jeton në ekran, në kujtesën kolektive dhe në zemrat e atyre që e njohën dhe e vlerësuan.
/rtsh.al/