E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Arkivi Marubi ndriçojnë Natën e Muzeve në Romë

Trashëgimia unike fotografike e Arkivit Marubi ishte në qendër të vëmendjes në edicionin 15 të “Natës së Muzeve” në Romë, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore ndërevropiane, që ftoi qytetarë, turistë dhe artdashës të eksploronin muzetë dhe institucionet kulturore deri në orët e para të mëngjesit, me një biletë simbolike prej vetëm 1 euro.

Shqipëria u përfaqësua me krenari në këtë festë evropiane të kulturës përmes një mbrëmjeje të kuruar me kujdes nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali, në ambientin e veçantë të Sala Santa Rita – një prej hapësirave më ikonike të kryeqytetit italian. Programi, i dedikuar Arkivit Marubi, i përfshirë në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës të UNESCO-s, solli para publikut italian dhe ndërkombëtar historinë shqiptare të fotografisë.

Të pranishmit patën mundësinë të shijonin një dokumentar mbi Arkivin Marubi, që solli në ekran rrëfimin e një trashëgimie unike fotografike shqiptare, dhe gjithashtu të përjetonin një ndërthurje muzikore nga sopranoja Ana Lushi dhe pianistja Kozeta Prifti, të frymëzuara nga qyteti i Shkodrës.

Pjesë e mbi 100 aktiviteteve kulturore të ofruara në mbi 60 hapësira të ndryshme në gjithë Romën, mbrëmja shqiptare solli një copëz arti dhe historie nga Shkodra në zemër të Italisë. Reagimet e publikut ishin tepër pozitive, ndërsa shumë vizitorë u ndalën për të admiruar përfaqësimin shqiptar dhe për të mësuar më shumë për fotografinë dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Kjo pjesëmarrje shënoi një hap të rëndësishëm për promovimin e kulturës shqiptare në një skenë ndërkombëtare dhe tregoi sërish se arti shqiptar di të flasë fuqishëm edhe përtej kufijve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›