E Shtunë, 31 Tetor 2026

Larg vezullimit londinez

Ajo shfaqje e bukur dhe magjepsëse nga Londra në orët e vona të kësaj të premtjeje, ku bashkë me qindra-mijrat e sportistëve nga 205 vendet e botës në ceremoninë e hapjes së Lojrave Olimpike 2012 parakaloi edhe ai grusht i vogël e i mpiksur shqipëtarësh, tashmë ka mbetur si një vezullim i largët i një bote që ndryshon shumë nga e jona, mbushur plot shqetësime e probleme vazhdimisht të pa zgjidhura. Ndërsa kryeqyteti perandorak do ta vazhdojë festën e tij të përbotëshme për gati dy javët e ardhëshme, derisa të ulet perdja e Olimpiadës më 12 gusht, për ne shqipëtarët, që gjithësesi jemi atje për “forcë zakoni”, riti i hershëm çdo katërvjeçar vështirë se mund të na ketë ruajtur edhe këte herë ndonjë të re të këndshme. Përkundrazi, Londra do të mbahet mend, sido që të jetë, si Olimpiada që përjashtoi nga rradhët e veta, ende pa filluar, një sportist shqiptar të dopinguar, peshëngritësin elbasanas-Hysen Pulaku, që si për t’i bërë shoqëri kolegut të tij shkodran Erkand Qerimaj, të dënuar disa ditë më parë po për këte arësye, tashmë i ka vënë një njollë turpi krejt sportit tonë në arenën ndërkombëtare! Prandaj nuk u ndjeva fort krenar tek parakalonte ai ekipi ynë “i fryrë” me ca zyrtarë-kostumaxhi pa ndonjë emër të spikatur nga e kaluara dhe e tashmja e sportit tonë, kur shtete të tjerë duartrokiteshin teksa nga rradhët e tyre mund të dalloje qartë kampionë e rekordmenë si legjendari Sergei Bubka i Ukrainës, për t’mos shkuar tek fenomenali i papërsëritshëm Usain Bolt i Xhamajkës, një vend me sipërfaqe e popullësi të vogël, gati sa kjo e Shqipërisë sonë! Por, vezullimin plot ngjyra festive të Londrës ma largon jo vetëm ai “prezantim” dopingu i ekipit tonë atje, por edhe bëmat e tjera po aq të shëmtuara që futbolli ynë paraqiti me klubet në këte edicion të kupave të Europës, ku eliminimi i tyre ishte një tjetër faqe e zezë që i shtohet këtij sporti, vazhdimisht lëngues.
Ishte “vjedhja elegante” e një stacioni tonë televiziv këto ditë, duke na sjellë nga Norvegjia figurën pa koment të ndeshjes së Tiranës atje, ndaj Alesundit vendas, që bëri të mundur të shihnim lakuriq se ku qëndron realisht ky futbolli ynë pa asnjë shpresë shpëtimi. Një lojë pa përmbajtje dhe pa asnjë ide nuk ka se si të të çojë tek një rezultat i mirë, aq më tepër tek një shfaqje e bukur. Kështu luajti Tirana në ndeshjen në fjalë, ku u shpartallua si asnjëherë tjetër,5-0! Duke ndjekur rrjedhën e lojrave dhe rezultateve të klubeve të tjera që na përfaqësuan në këte edicion të kupave të Europës, Tirana e bëri edhe më të qartë gjendjen mjerane të futbollit tonë aktualisht. Me keqardhje, por e kisha parashikuar që në start këte dështim të paralajmëruar të klubeve tona, sepse ata ndodhen në këte gjendje të rëndë prej vitesh, pa bërë ndonjë përpjekje serioze institucionale që të mund të të japin ndonjë shpresë përmirësimi. Kështu, s’na mbetet veçse të themi ende, na ishte njëherë një skuadër vlonjate që dikur mundi të kalonte dy ture në kupat europiane! Por, që atëhere ka kaluar njëçerek shekulli dhe ndonjë dritë tjetër nuk po duket më në horizontin e futbollit shqiptar. Për ndonjerin që nuk sheh larg dhe kënaqet me ato ç’ka mund t’i rrëmbejë hajdutshe kësaj bote, djalli mund të mos jetë aq zi, sidoqoftë, të jeshë dëshmitar i skenave të tilla kaq poshtëruese, siç po kalon futbolli ynë, gjithënjë i eliminuar, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Sepse, me mbarimin e aventurës së këtij sezoni në arenën ndërkombëtare, për klubet tona do të nisë një kalvar tjetër vuajtjesh edhe më të mëdha, kur pas tri-katër javësh do të jepet starti i kampionatit të ri kombëtar. Dhe paradoksalisht, më shumë probleme duket se do të kenë skuadrat pjesëmarrëse në kupat europiane, që medemek kanë bërë më shumë përgatitje se të tjerat, por faktet tregojnë të kundërtën! Tek Skënderbeu, dy vjet rresht kampion i vendit, pas eliminimit për Ligën e Kampionëve, formacioni tani duket i lëkundur, aq sa thuhet se më shumë se gjysma e ekipit, së bashku me trainerin çek ende nuk i kanë rinovuar kontratat, duke mbetur kështu fati i ardhshëm i ekipit korçar një enigmë e vërtetë. Tek Tirana punët janë keq e më keq, që kurse kjo skuadër është bërë përfundimisht pronë e Bashkisë!? E keni dëgjuar besoj se elegjia që dëgjohet më shumë n’atë klub është ajo e mungesës së lojtarëve, aq sa traineri spanjoll Rubio e përdor si refren faktin se ka shumë pak lojtarë të vërtetë në formacion. Por, tani që iku edhe i vetmi sulmues që kishin-Bala, si do ta përballojë kampionatin kjo Tiranë, që vetëm një Gilman Lika ka të hajrit aktualisht? Kjo është gjendja e dy prej skuadrave më të mira, po prej të tjerave çfarë mund të presim? Me këto që kemi parë e po shohim, duket se këtij futbolli në Shqipëri nuk ka asnjë trainer i huaj, madje as edhe nga Spanja, që t’i bëjë derman!
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›