E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, Arben Malaj: PS të votojë më 6 gusht

TIRANE-Deputeti socialist, Arben Malaj deklaroi dje, se PS duhet ta votojë heqjen e imunitetit në datën 6 gusht. Në një intervistë televizive, Malaj u shpreh se: “Nuk kam nguruar që publikisht ta them që ne duhet ta votojmë me datën 6 gusht, duke e parë në raport me integrimin e vendit”. “Pra ngjarjet historike nuk presin mirëkuptimet tona, ose reforma të plota.

I gjithë zhvillimi, edhe politik, edhe ekonomik ka ardhur hap pas hapi. Në këtë moment ka marrë prioritet një kuadër i ri për imunitetin”, - u shpreh deputeti i PS-së. Por, ai tha nga ana tjetër se: “Sigurisht që Kushtetua e vendit ka nevojë të rishikohet, sigurisht që ekuilibri i ndarjes dhe kontrollit të pushteteve është prishur”. “Unë them që koha në politikë është shumë e rëndësishme. Kështu që në këtë aspekt, për faktin se ndodhemi përballë një mundësie, një testimi për të marrë statusin e vendit kandidat pas dy dështimeve të njëpasnjëshme, personalisht, pavarësisht se sot mund të ketë shumë skeptikë për çfarë ndodh në Bashkimin Evropian, jam një mbështetës i hapur dhe i fortë që vendi duhet të mos ketë asnjë çoroditje, asnjë hezitim dhe asnjë vonesë në hapat integrues, qoftë për analizën historike të vendit, qoftë edhe për atë që inspiron dhe mbështet Bashkimi Evropian, e ardhmja jonë duhet të jetë brenda BE-së dhe për këtë nuk duhet të vonohemi në asnjë rast”, - nënvizoi Malaj.

Sipas tij: “Nëse ka mbetur thjeshtë dhe vetëm imuniteti, kjo e bën dhjetë herë të detyrueshme që të miratohet në datën e caktuar”. Por, shtoi Malaj, “në qoftë se, dhe këtu është edhe debati që bëjmë me PD-në, vendi ka mbetur jashtë dyerve të BE-së jo për faj të opozitës, po për dështime të mazhorancës, ne mund të jemi vendi i fundit në të gjithë Ballkanin Perëndimor për kohën që kemi humbur nga momenti që kemi dorëzuar zyrtarisht kërkesën për anëtar, sepse nuk ka kërkesë për kandidat dhe mosmarrjen e statusit të vendit kandidat”.

Pak ditë më parë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi deklaroi se veç votimit për heqjen e imunitetit si kushte për tu plotësuar nga politika janë edhe reforma parlamentare si edhe ligji për Gjykatën e Lartë. E nëse politika shqiptare i arrin edhe këto, statusi në vjeshtë edhe mund të arrihet. Ndërkohë, grupi parlamentar i PS-së ende nuk ka vendosur zyrtarisht për votimin në datën 6 gusht, por paraprakisht, kryetari i kësaj partie ka thënë se nuk do të votohet imuniteti në këtë datë, pa u diskutuar edhe paketa e ndryshimeve kushtetuese që është propozuar nga PS-së. Pak ditë më parë, të dyja palët mbyllën diskutimet për çështjen e imunitetit dhe u arrit në një propozim konsensual, por kjo tashmë kushtëzohet vetëm nga diskutimi për marrjen parasysh nga ana e PD-së, të ndryshimeve që kanë të bëjnë me zgjedhjen me 84 vota nga Parlamenti të anëtarëve të disa institucioneve të drejtësisë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›