E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lars Bak, gjeniu danez

Tetë kilometra nga Aarhus, qyteti i dytë më i madh në Danimarkë dhe kryeqyteti kulturor i Jutlandit, ndodhet një fermë e madhe. Brenda, në një sallë të madhe me dysheme prej druri gjendet një divan i madh me lëkurë ngjyrë kafe dhe pak metra më tej një lexues dvd. Nga jashtë, me kopshtin e vogël dhe dritaret e drunjta ferma duket sikur është zhytur në të shkuarën. Por, pikërisht këtu, është ngjizur një element kyç për të ardhmen e internetit. Lars Bak, pronari i shtëpisë dhe gjeniu i padiskutuar i informatikës ka ardhur të jetojë këtu për të vetmin qëllim: dëshiron që askush të mos e gjejë dhe shqetësojë. Bak duket në siklet kur i shtrëngon dorën dhe duket që kërkon të më mbajë sa më larg të jetë e mundur shtëpisë ku jeton. Me çon në sallën e madhe me divanin ngjyrë kafe që sot është kthyer në kinemanë e tij në kushtet e shtëpisë, ndërsa në të kaluarën ishte zyra e tij. Sapo nxjerr nga çanta fletoren, Bak të pyet: "Atëherë çfarë kërkon të dish?". Lark Bak nuk është i famshëm. Është një tjetër Lars Bak më i famshëm në Danimarkë, por është një çiklist. Megjithatë, shumë pak e dinë se ky njeri, pikërisht gjeniu i informatikës mund të ndryshojë jetën tonë. Programi i fundit që ka hartuar "V8", është pjesë e browser-i të ri që ka nxjerrë "Google".

Aplikacione të ndërlikuara

Kolosët e informatikës nuk pasurohen me browser, por "Google" dëshiron ta ketë një të tillë për t‘i dhënë akses një tjetër burimi të madh: programet që duhen përdorur përmes internetit. Google, për shembull, i ka drejtuar sytë drejt "Google Docs", një paketë aplikimi online që ka funksione të ngjashme me ato të "Microsoft Office". Për të ofruar versione më efikase për këto dhe të tjera programe në internet duhen browser më eficentë. Kjo është pikërisht një nga pjesët ku hyn në lojë edhe Bak. Informaticieni danez është transferuar në Silicon valley në vitin 1991 për të punuar për "Sun Microsystems". Pasi mori pamjen e një programuesi të shkëlqyer, në vitin 1994 themeloi "Animorphic Systems‘ një shoqëri që u ble më pas nga "Sun". Kur u kthye për të punuar në kompaninë e "Silicon Valley"-t , Bak zhvilloi teknologjinë JavaHotspot, një standard i vërtetë për industrinë informatike. Por në vitin 2000 u kthye në Danimarkë. Ndër faktorët që e bënë të kthehej ishte premtimi për një jetë më të mirë, dëshira për t‘i çuar fëmijët të studionin në shkollat daneze dhe premtimi për një përfitim më të madh fizik dhe mendor. Jeta e programuesve në SHBA është stresuese dhe pak e shëndetshme. Pasi u kthye në Danimarkë, Bak humbi 20 kilogramë nga shëndeti që kishte marrë në Amerikë dhe tani gëzon një formë të përkryer fizike. Në vitin 2002 themeloi një shoqëri të re, "Oovm" me qendër në Aarhus, që më 2004-ën ia shiti zviceranes Esmertec ku punoi edhe për dy vjet të tjera. Pasi u largua që aty nuk kishte në mendje asnjë projekt konkret. Kishte fituar aq para sa të mbante veten dhe familjen. Po ashtu, gjërat që kishte për të bërë nuk i mungonin. I duhej të lyente dhe rregullonte shtëpinë dhe për ta bërë këtë, sipas llogarive të tij duhej plot një vit. Pastaj erdhi oferta e "Google". Bak kishte eksperiencën dhe talentin e duhur për të hartuar komponentin më të rëndësishëm të browser-it të ri "Chrome‘: motorin JavaScript. Nuk u mendua dy herë. "Nuk kam dashur kurrë të bëhem drejtues. Ajo që dua është të sfidoj limitet e teknologjisë", thotë Bak. Bak ishte gati të fillonte punë të re, por jo të kthehej në Kaliforni. Për këtë arsye vendosi të punonte nga shtëpia më shumë se tetë mijë kilometra larg nga selia e kompanisë. "Google", tregon Bak, ishte "gati të më jepte besimin e saj: e dinin që nuk do të humbnin kohë".

Shtëpi dhe zyrë

Kështu Bak vendosi të ndërtojë një zyrë në shtëpi. Ferma e tij ka një kopsht që ndan anën ku punon familja e tij nga ajo ku punon ai. Projekti i tij ishte të krijonte një browser që do u jepte mundësinë qindra personave që të bënin si ai: të punonin nga shtëpia, duke komunikuar me selinë qendrore dhe të shfrytëzonte burimet e kompanisë falë pushtetit të internetit. Sot Bak konsiderohet një gjeni në informatikë, por para se të shkonte në universitet ai nuk kishte prekur kurrë më parë një kompjuter me dorë. "Në lice ishin të tjerë ata që preferonin të kalonin kohën në laboratorët e informatikës. Mua më pëlqente të merresha me sport. Pasioni për kompjuterin lindi më vonë". Bak nuk ka qenë kurrë nga ata njerëz maniakë që pinin kafe për të mos i zënë gjumi mbi kompjuter. "Ngarkesa e punës është konstante. Pushoj gjithmonë kur vjen darka. Edhe një programues duhet të bëjë një jetë normale". Bak nuk është një antiamerikan, por preferon stilin danez të jetës. "Në SHBA ka shumë agresivitet dhe një besim të ekzagjeruar në vetvete. Në Europë ka një sjellje më pak agresive". Duke punuar në Danimarkë për "Google" ai ka dashur të kombinojë më së miri gjërat më të mira të këtyre dy botëve. Ideja për ta quajtur V8, motorin e "Chrome" erdhi rastësisht. Nga dita që kur ka nisur punën e re, Bakun e ndihmon edhe një ish-student i tij, Kasper Lund, një djalosh i zoti dhe shumë inteligjent që përveç të tjerave ka edhe për detyrë të argëtojë shefin. Shpesh të dy pushojnë për të luajtur pingpong apo tenis me "Wii". Shumë software janë hartuar duke punuar mbi versionet e mëparshme. Përkundrazi V8-ta u krijua nga zero. "Është thjesht programim", tregon Lund. Kur projekti i V8 u zgjerua, Bak dhe Lund iu desh ta transferonin zyrën e tyre në Universitetin Aarhus, ku Bak jep mësim. Për të shkuar në punë përdor biçikletën, sepse kështu mund të bëjë edhe gjysmë ore ushtrime fizike. Kontaktet me drejtuesit e "Google" mbahen përmes e-mail-it. Programuesi danez është shumë i fiksuar dhe kërkon me çdo kusht të ruajë intimitetin e tij. Në 100 ditët e para të tij "Chrome" ka tërhequr më shumë se 10 milionë përdorues. Është një shifër domethënëse, por browseri-i i ri nuk është akoma në gjendje të garojë me "Firefox" apo "Internet Explorer". Në dhjetor të 2008, "Google" deklaroi se "Chrome" e kishte kaluar fazën e tij të zhvillimit dhe mund të instalohej në disa kompjuterë. Kjo mund të garantojë një rritje të shpejtë të numrit të përdoruesve.

Më i shpejti

Në çdo rast, sfida teknike u hap. "Microsoft duhet të krijojë një produkt më të mirë se V8", thotë Bak. Pjesa më e madhe e ekspertëve dyshon se do të arrijë ta bëjë brenda një kohe të shkurtër: sipas testeve të bëra V8 llogarit JavaScript-in 56 herë më shpejt se versioni më i përhapur i Internet Explorer. "Jemi nisur nga standarde shumë të larta", thotë Bak që me modesti shton se "ka qenë një sukses i vogël". Sot Bak është i famshëm. Të gjithë duan të dinë se kush është "arkitekti" i "Chrome". Atij i pëlqen të vazhdojë të bëjë gjëra të tilla dhe të bëjë gjithçka për të mos takuar gazetarë. Tamam si një danez i vërtetë.

Biografia

1964: Lars Bak lindi në Danimarkë

1988: Diplomohet për informatikë në Universitetin e Aarhus-it

1991: Shkon të punojë për "Sun Microsystems", në SHBA

2000: Kthehet të jetojë në Danimarkë

2004: Google e kërkon për të zhvilluar motorin Javascript të browser-it të ri "Chrome".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›