Latinët, gati një organizatë pa SHBA e Kanada
Vendet e Amerikës Latine dhe të Karaibeve kanë rënë dakord për të krijuar një organizëm të ri rajonal pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë. Kjo është bërë e ditur nga Presidenti i Meksikës, Felipe Kalderon. Blloku i ri synon që të shndërrohet në një alternativë për Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), që është edhe forumi kryesor për çështjet rajonale, që prej 50 viteve të fundit. Meksika aktualisht ka organizuar një takim rajonal në bregdetin e Kankunit. Për sa i përket OAS, ai ka qenë gjithmonë i karakterizuar nga kontradikta dhe grindje mes vendeve anëtare, kryesisht për sa i përket politikës tregtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, kjo organizatë është akuzuar për vendosje të interesave të SHBA-ve mbi ato të vendeve të tjera anëtare. Për sa i përket propozimit për grupin e ri, kjo ishte një nga çështjet e axhendës së takimit dyditor. Sipas Presidentit meksikan, është një prioritet tashmë integrimi rajonal dhe promovimi i axhendës rajonale në takimet globale. Në samit merrnin pjesë 32 vende nga rajoni. I pari që ka përkrahur iniciativën ka qenë lideri kuban, Raul Kastro, duke e quajtur atë si propozimin për krijimin e një organizate tërësisht latino-amerikane. Vetë Kuba u pezullua nga pjesëmarrja në OAS në vitin 1962, për shkak të sistemit politik socialist. Në vitin 2009, organizata e hoqi pezullimin, por tashmë ishte Kuba që nuk e pranoi anëtarësimin. Ndërsa Presidenti i Venezuelës, çavez, e cilësoi lëvizjen si një tentativë për t’u shkëputur nga “kolonizimi” që i kanë bërë rajonit amerikanët. Ndërsa Presidenti i Bolivisë, Evo Morales, tha se organizmi duhet që të fillonte të funksiononte si i tillë të paktën në vitin e ardhshëm. Ndërkohë, në këtë takim ka pasur edhe shkëmbime sharjesh mes liderëve të ndryshëm, si në rastin mes çavezit dhe Presidentit të Kolumbisë, Alvaro Uribe. çavez i tha këtij të fundit “të shkonte në djall”, pasi kolumbiani e cilësoi çavezin “frikacak”. Shkëmbimet janë bërë gjatë një takimi ku merrnin pjesë edhe krerë të tjerë shtetesh. Kanë qenë sharje dhe ofendime në lidhje me çështje mes të dy vendeve, por që në fakt janë bërë objekt i grindjeve para një publiku shumë më të gjerë.
#