E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lavdëron “tradhtarin” izraelit

Shkrimtari gjerman, Günter Grass, ka publikuar një përmbledhje poezish të titulluar “Eintagsfliegen”. Në një poezi ai sërish kritikon Izraelin. Nuk u desh të pritej gjatë për reagimin e Ministrisë së Jashtme të këtij vendi.

Në mesin e 87 vjershave që janë pjesë e përmbledhjes “Eintagsfliegen”, ndodhet edhe ajo që sigurisht se do të nxis vëmendjen më të madhe. Jo për shkak se është vjersha më e mirë, por për shkak se Grass aty sërish kritikon Izraelin, gjë që garanton kritika nga të gjitha anët. Veç kësaj, kur sivjet në gazetën ‘Suddeutsche Zeitung’ Grass botoi një vjershë tjetër në të cilën kritikonte Izraelin, duke përshkruar atë si “kërcënim për paqen botërore”, pasoi një debat i ashpër publik, i cili rezultoi me ndalesën e Grass që të hyjë në Izrael.

Kësaj radhe, në poezinë e tij Grass lavdëron Mordechai Vanunu, inxhinierin bërthamor izraelit që për opinionin botëror u bë i njohur kur zbuloi se Izraeli posedonte bombë bërthamore, për ç’gjë u shpall spiun dhe u dënua me 18 vjet burg. Por, për Grass, Vanunu është “një hero” dhe “idhull”, i cili “i shërbeu vendit të tij, për shkak se a tha të vërtetën”.

Ndryshe, Vanunu aktualisht jeton në arrest shtëpiak, përderisa Izraeli edhe më tej zyrtarisht pohon se nuk posedon armatim bërthamor.

Megjithatë, kësaj radhe reagimi i autoriteteve izraelite ndaj kritikave të Grass duket shumë më i qetë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit deklaroi shkurt, se:

“Kjo vepër miniaturale letrare sigurisht që nuk i përket nivelit të një Schilleri ose Rilke, por, duke marrë parasysh mendimet që Grass i shprehte më herët, ajo tingëllon si freskim, sepse po ekzistuaka të paktën një izraelit të cilin Grass e admiron”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›