E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Le Monde” në shitje

Një bankier miliarder rus ka bërë të ditur se do të donte ta blinte gazetën franceze “Le Monde”, duke ngritur kështu menjëherë shumë pikëpyetje në lidhje me pavarësinë e editorialeve të saj.

43-vjeçari moskovit, pronar i bankës “My Bank”, Gleb Fetisov, që për nga pasuria e tij me vlerë 1.3 miliardë euro zë vendin e 42-të në Rusi, tha se ishte i interesuar për blerjen e gazetës së famshme franceze. Sipas tij, nuk bëhej fjalë për një projekt spekulativ afatshkurtër, por për një marrëveshje të mundshme me garanci, e para për biznesmenin në fushën e medieve.

“Unë kam ndërmend ta zhvilloj gazetën dhe të mbetem në krye të paketës kontrolluese. Ky është një rast unik për të blerë një gazetë me një vlerë jashtëzakonisht të madhe në tregun mediatik, që do të vlerësohet edhe më shumë me kalimin e viteve”, ka deklaruar blerësi i mundshëm. Ai ka qenë një ish-senator për Partinë e Putinit, që në vitin 2006 ka shkruar edhe vetë personalisht në gazeta në mbrojtje të “Gazprom”-it, me rastin e krizës së parë ruse me Ukrainën.

Por, ai ndërkohë tha se nuk do të ndërhynte në asnjë nga lajmet e gazetës. “Unë kam një ide të qartë në lidhje me ristrukturimin e borxhit që ka kjo gazetë dhe di se si të bëj para me këtë biznes, edhe pse tani është në një moment të vështirë në të gjithë botën. Nuk do të ndërhyj aspak në aspektin gazetaresk të gazetës dhe do të shmang çdo lloj ndikimi politik në editorialet e saj dhe në stafin e gazetës”, ka deklaruar pronari i bankës.

Gazeta “Le Monde”, një bastion i elitës politike franceze të qendrës së djathtë, u themelua në vitin 1944 nga lideri francez De Gaulle, për të sinjalizuar ndarjen me kolaboracionistët nazistë dhe medien e tyre gjatë Luftës II Botërore.

Gazetarët deri më tani kanë pasur secili një pjesë të aksioneve të saj, madje atë të paketës kontrolluese, si një garanci për autonominë e editorialeve, por kjo marrëveshje nuk është më e vlefshme, sepse gazeta nuk ka më para për të paguar borxhin, afati i të cilit është në korrik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›