E Diel, 1 Nëntor 2026

Lefter Koka kthehet sërish në burg për çështjen e inceneratorit të Tiranës, Apeli i GJKKO: I kanë mbetur edhe 6 muaj nga dënimi

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur që ish-ministri Lefter Koka të rikthehet në burg për të vuajtur edhe 6 muaj dënim në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Apeli prishi pjesërisht vendimin e shkallës së parë, e cila kishte vendosur shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Kokës, me argumentin se dënimi ishte konsumuar gjatë kohës së paraburgimit.

Koka ishte dënuar fillimisht me 3 vite burg për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 2 vite burgim. Me vendimin e ri të Apelit, ai duhet të rikthehet në qeli për të përfunduar pjesën e mbetur të dënimit.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Iliriana Olldashi, Nertina Kosova dhe Daniela Shirka la në fuqi pjesën më të madhe të vendimit të shkallës së parë për të pandehurit e tjerë, ndërsa ndryshoi pikën që lidhej me heqjen e masës së sigurisë për Kokën.

Po ashtu, Apeli shpalli fajtor edhe ish-zyrtarin e QKB J.Llapaj për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, duke e dënuar me 1 vit burg, dënim që u ul në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ai ishte shpallur i pafajshëm në Shkallën e Parë. Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

VENDIMI

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më 14.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 6/71 akti, datë 14.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve T.T, L.K, S.K, B.K, E.M dhe ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 30, datë 16.04.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurit B.K, E.M, T.T, S.K.

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin L.K për pikat “1”, “2”, dhe “4” të dispozitivit të vendimit.

– Ndryshimin e vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin L.K, duke hequr pikën “3” të dispozitivit të këtij vendimi që ka disponuar “Për shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg””, caktuar ndaj të pandehurit L.K me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Ndryshimin e vendimit nr.30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin J.Ll si vijon: – Deklarimin fajtor të të pandehurit J.Ll për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

– Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurit J.Ll me 8 (tetë) muaj burgim.

Në bazë të nenit 35/1 të Kodit Penal caktimin për të pandehurin J.Ll të dënimit plotësues, heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 5 (pesë) vjet. 

Shpenzimet procedurale gjyqësore edhe të gjykimit në apel u ngarkohen solidarisht të pandehurve. – Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi. U shpall në Tiranë, sot më datë 14.05.2026.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›