E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Begaj pret ambasadorët e rinj të Kuvajtit dhe Palestinës në Shqipëri, fokus te marrëdhëniet dypalëshe dhe investimet

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në Presidencë ambasadorin e ri të Kuvajt në Shqipëri, Mohsen Alajmi, i cili dorëzoi Letrat Kredenciale.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj i uroi mirëseardhjen ambasadorit në Tiranë dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen më tej në fusha të ndryshme bashkëpunimi.

Kreu i Shtetit rikonfirmoi solidaritetin e Shqipërisë me Kuvajtin përballë sulmeve të Iran, duke i cilësuar ato si shkelje të sovranitetit dhe të së drejtës ndërkombëtare. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e dhënë për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kuvajt.

Në takim u vlerësua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve dypalëshe dhe kontributi i projekteve kuvajtiane në Shqipëri, sidomos në fushën humanitare dhe të zhvillimit. Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtyre nismave dhe rritjes së vizitave të ndërsjella për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik.

Ai inkurajoi gjithashtu sipërmarrësit kuvajtianë të investojnë në Shqipëri, duke përfituar nga lehtësitë e ofruara nga institucionet shqiptare. Në këtë kuadër, u shpreh gatishmëria për mbledhjen e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunim Ekonomik.

Gjatë bisedës u diskutua edhe mbështetja e Kuvajtit ndaj Kosovës, si dhe bashkëpunimi në organizmat ndërkombëtarë, veçanërisht në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Begaj priti gjithashtu edhe ambasadoren e Palestinës në Shqipëri, Rana Abusibaa, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Presidenti i uroi mirëseardhjen ambasadores dhe suksese në misionin e saj diplomatik, duke shprehur besimin se ajo do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe Palestinës.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria vijon të ndjekë me vëmendje zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe mbështet përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe paqësore në rajon.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›