E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, Berisha sulmon kryebashkiakun e Vlorës

Qeveria në ikje legalizon dhjetëra ndërtime informale në të gjithë vendin

berishaKryeministri në detyrë, Sali Berisha ka sulmuar dje kreun e opozitës dhe kryeministrin e ardhshëm Edi Rama si dhe kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika se po bashkëpunojnë për prishjen e të gjitha ndërtimeve në qytetin bregdetar përfshirë edhe ato ndërtime me leje, që vetë pushteti vendor i ka lejuar më herët të ndërtohen. Për kryeministrin Berisha z.Gjika nuk mund të veprojë me kokën e vetë duke dalë kundër ligjit, i cili tregon qartë se edhe në rastet kur objekte të caktuara që janë ndërtuar me leje bien ndesh me planin urbanistik të qyteteve, atëherë pronarët duhet të dëmshpërblehen.

Garancia

Në këtë drejtim Berisha siguroi qytetarët se kjo qeveri deri në ditën e fundit të saj, por jo vetëm, nuk do të lejojë që asnjë shtëpi me leje të prishet apo të mos bëhet pjesë e kompensimit. Dy ditë më parë dy kryebashkiakë të qyteteve jugore (Vlorë dhe Himarë), Shpëtim Gjika dhe Gjergj Goro thanë në media se në këto dy qytete ka nisur aksioni për prishjen e çdo ndërtimi informal, përfshirë edhe ato ndërtime me leje që nuk shkojnë përshtat me planin e qytetit.

Berisha

Kjo qeveri do të mbështesë deri ditën e fundit, çdo veprim ndaj çdo ndërtimi pa lejë kudo që të jetë dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Zoti ministër i Brendshëm, do të përdoret e gjithë forca e ligjit dhe nuk do të ketë njëri  që ti prekë kujt shtëpinë me leje. Ligji do të mbrojë qytetarin me çdo çmim, njëlloj  sikur të jetë institucion publik. Në qoftë se do që të prishësh një shtëpi me leje, mund ta bësh pa asnjë vështirësi, por ka procedura dhe procedurat janë shumë të njohura, shtetëzim, shpronësim, por jo banditizëm. Edhe i ke dhënë lejë, edhe thua ta prishësh, tha dje Berisha.

Apeli

Kryeministri vijoi më tej duke sqaruar se kjo qeveri nuk mbron asnjë ndërtim pa leje, por nuk do lejojë të prishen shtëpi dhe biznese për qëllime hesapesh të politikanëve njëri me tjetrin, në kurriz të qytetarëve. Ndaj kërkoj që të gjitha agjencitë, në çdo rast të mos lejojnë që askush të prishë qoftë edhe një ndërtesë të vetme me leje. Kryetari i bashkisë dhe cilido që do ta prishë atë duhet ta prishë mbi bazën e rregullave ligjore, si në çdo vend të botës, e shtetëzon, e shpërblen, e prish. Do të krijojë shesh, do të krijojë rrugë, do të krijojë qendër të madhe apo ndërtim tjetër, ne këto nuk i pengojmë, por mesa po shoh unë, kjo është një propagandë terrori që bën Shpëtim Gjika, sepse e kanë kërcënuar me burg dhe diku ia kanë kapur fijet. Rama premtoi parajsën, erdhi me premtime antiglobaliste dhe tani përpiqet të mërmërisë. U premtoi legalizim falas dhe po ofron rruspat edhe për ata që janë legalizuar, u shpreh kryeministri. Ndërkohë ditën e djeshme qeveria Berisha ka miratuar legalizimin e një sërë ndërtimesh informale në të gjitha qytetet e vendit, objekte që ishin në proces legalizimi. Kështu janë miratuar 48 objekte në Tiranë, 56 në Durrës; 17 në Sarandë; 23 në Vlorë: 106 në Shkodër etj. Qeveria ngarkon Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale, nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje.

Lista me objektet e legalizuara sipas qyteteve

 Qeveria miratoi dje kalimin në pronësi të poseduesve të objekteve informale të sipërfaqeve të parcelave ndërtimore, sipas listës së mëposhtme:

1. Në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tiranë legalizohen 48 parcela ndërtimore, me sipërfaqe trualli 16 130,9 m²;

2. Në Durrës legalizohen 56 parcela ndërtimore

3. Në Vlorë 23 parcela ndërtimore

4. Në Sarandë, 17 parcela ndërtimore

5. Në Berat, 12 parcela ndërtimore

6. Në Shkodër, 106 parcela ndërtimore

7. Në Fier 22 parcela ndërtimore

8. Në Lushnjë, 13 parcela ndërtimore

9. Në Elbasan 13 parcela ndërtimore

10. Në Gjirokastër, 1 parcelë ndërtimore

11. Në Korçë, 24 parcela ndërtimore

12. Në Pogradec, 11 parcela ndërtimore

13. Në Lezhë, 6 parcela ndërtimore

14. Në Kukës, 3 parcela ndërtimore

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›