Rishitja e ARMO-s, ekspertët: Skemë mashtrimi, përgjegjës Ministria e Ekonomisë
Ekspertët: Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë të përballen me ligjin për dëmet që i kanë bërë shtetit
Skema për rishitjen e kompanisë së naftës ARMO, është e gjitha një skemë mashtrimi, njëlloj si privatizimi i saj para pesë vitesh. Është ky mendimi i ekspertëve në industrinë e naftës, të cilët janë shprehur dje në media se ky transaksioni financiar për rishitjen e 85 % të aksioneve të kompanisë ARMO është i dyshimtë dhe se thellon edhe më tej krizën në këtë sektor.
Ekspertët
“Po aplikohet e njëjta skemë e zbatuar që në momentin e privatizimit të ARMO-s para 5 viteve dhe tani për t’i dhënë asaj një retushim me një model tjetër. Unë ndërkohë mendoj që të gjitha problemet që ka kjo shoqëri, financiare, të detyrimeve të palëve të tjera, të detyrimeve ndaj buxhetit të shtetit apo individëve të ndryshëm nuk zgjidhen me këtë transaksion”, tha dje në media Kastriot Bejtja, ekspert i industrisë së naftës, ndërsa bën fajtor dhe përgjegjës për gjithë këtë krizë vetë Ministrinë e Ekonomisë.
Përgjegjësit
“Konkluzioni është mjaft i lehtë për t’u nxjerrë. Këtu kemi të bëjmë me skemë të mashtrimit publik me grabitje të pronës publike dhe me një rënie të reputacionit të shtetit shqiptar në të gjithë aktivitetin e industrisë së naftës”, tha Bejtja. Po sipas tij dëmi i shkaktuar qytetarëve nga grabitja e naftës është i pallogaritshëm dhe shkaktarët gjenden në postet më të larta të Ministrisë së Ekonomisë. “Meqë në se zyrtarët e kësaj Ministrie në qëndrimin apo me mosveprimin e tyre ndaj detyrimeve ligjore po i shkaktojnë një dëm të pa llogaritur shtetit shqiptar dhe interesit publik, atëherë unë mendoj që këta zyrtarë duhet të përballen me ligjin për të treguar se sa dëm i kanë bërë këtij shteti”, tha Bejtja.
Detyrimet e kontratës
Në të vërtetë kontrata e privatizimit të ARMO-s, parashikonte një sërë detyrimesh ligjore ndaj privatit së bashku me penalitetet përkatëse. Sipas marrëveshjes për pesë vjet pronari i ri duhet të investonte 200 milionë dollarë, të modernizonte teknologjinë dhe të prodhonte karburante me standarde europiane. Në fund të 5 viteve asnjëra nga kushtet nuk u përmbush. Përkundrazi kompania ka akumuluar detyrime financiare të papaguara në rendin e qindra milionë dollarëve ndaj shtetit, punonjësve, por edhe palëve të treta. Ministria e Ekonomisë, e cila sipas ligjit duhet të mbikëqyrë privatizimin dhe të mbledhë gjobat për mosrealizimin e investimeve, pranoi transaksionin për rishitjen e 85 % të aksioneve të kompanisë ARMO, një kompanie të regjistruar në ishujt Virgin.