Legalizimet në Tiranë do të mbyllen brenda shtatorit
Kryebashkiaku Basha iu premton kryeqytetasve se do ti pajisë me tapi deri ne vjeshtë
Procesi i legalizimit të banesave në Tiranë do të mbyllet brenda muajit shtator të këtij viti. Premtimi është bërë nga vetë kryebashkiaku Basha, dje gjatë inspektimit të punimeve të përfunduara në bllokun 53, pjesë e njësisë nr.9, ku do të përfitojnë rreth 4 mijë banorë. Basha tha se ky model i një infrastrukture bashkëkohore, me një sistem të rrjetit të kanalizimeve, ndriçimit dhe hapësirave të gjelbra do të shtrihet në të gjithë Tiranën.
Legalizimet
“Ne do të flasim me vepra dhe jo me fjalë dhe brenda datës 30 shtator në këtë lagje të Tiranës dhe kudo në Tiranë do të mbyllet procesi i legalizimit duke sjellë tapitë në shtëpitë e qytetarëve. Qytetarët kanë kohë që nuk e hanë sapunin për djathë, fjalët i merr era dhe kur i shkruan në copa letrash”, tha Lulzim Basha, kryetar i bashkisë së Tiranës.
Rikonstruksioni
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka përfunduar edhe dy rrugë të tjera në kryeqytet. Rruga “Viktor Hygo” pjesë e njësisë bashkiake 7 i është nënshtruar të gjitëa ndërhyrjeve, ndërkohë që brenda pak muajsh do të ketë një rikualifikim urban të të gjithë bllokut. “Për Bashkinë e Tiranës nuk ka rrugë dytësore dhe tretësore, investimet janë shtrirë dhe do të vazhdojnë të shtrihen kudo ku ka nevojë qyteti dhe qytetarët, provë e qartë është investimi që bëmë në këtë rrugë mu në zemër të Tiranës, e cila ishte e lënë tërësisht pas dore prej dekadash dhe që sot ka parametra normalë”, tha Basha.
Punimet në njësinë 10
Po dje kryetari i bashkisë Lulzim Basha ishte në rrugën “Hajdar Hidi”, një arterie që lidh rrugën “Myslym Shyri” me rrugën e Kavajës. Në këtë rrugë që shtrihet në njësinë bashkiake nr. 10, është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujësjellësit, ndriçimit si dhe sinjalistika. Basha e ka konsideruar këtë, si një tjetër premtim të mbajtur dhe gur prove për punët e tjera që e presin bashkinë.