Rama: Berisha si Nano, flet me vete sa herë i vjen fundi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e cilësoi kryeministrin Berisha si ish-kryetarin e PS-së, Fatos Nano të cilët sipas Ramës sa herë iu vjen fundi nisin dhe flasin me vete. Gjatë mitingut përmbyllës në Kamëz, Edi Rama u premtoi banorëve se do ta shndërrojë Kamzën si Tiranën në kohën që ai ishte në krye të Bashkisë.
Deklarata
E keni dëgjuar që thotë unë jam Sali Berisha a thua kemi harruar. Si Fatos Nano…Unë jam Fatos Nano dhe prapa më vjen historia. Kështu janë këta flasin me vete kur i vjen fundit. Unë jam ai që e bëri Tiranën dhe do e bëj dhe Kamzën si Tirana. Kush e do Kamzën si Tirana të votojë PS. Shikoni sa iu do Saliu dhe tek linja e urbanit ju ka ndarë vende-vende, se dhe me linjën e urbanëve bëjnë pazare me xhepat e shpuar tuaj. Me Rilindjen Kamza dhe Tirana do jenë pjesë të njëjtit transport urban, u shpreh Rama.
Legalizimet
Teksa u premtoi banorëve dhënien e legalizimeve brenda mandatit të parë të qeverisjes socialiste, Rama akuzoi kryeministrin Berisha se ka abuzuar gjatë këtyre viteve me legalizimet. Sa herë ka fushatë elektorale, dy tre muaj përpara këta të integrimit këta thonë o burra legalizime. U bënë çerek shekulli, ku i keni legalizimet, keni vetëm ca Shaban tapi në dorë që nuk i duhen dreqit. Unë kam ardhur këtu tiu them se është koha për ta mbyllur njëherë e mirë këtë plagë dhimbjesh dhe vuajtjes, për shkak të mungesës së legalizimeve. Ju zotohem solemnisht se qeveria e Rilindjes dhe unë personalisht do angazhohemi me mish e shpirt që brenda mandati të parë, shtëpitë në zonat informale të jene kthyer ne pasuri të patundshme për të gjitha familjet që jetojnë në to, premtoi Edi Rama. Në vijim të akuzave ndaj kryeministrit Berisha, Rama tha se kreu i qeverisë për çerek shekulli ka përhapur frymën e ndasisë veri-jug në vend, ndërkohë që hodhi poshtë akuzat e demokratëve, të cilën e fajësojnë se ka etiketuar veriorët si shpellar. Ka çerek shekulli që përpiqet tiu mbajë të ndarë nga kryeqyteti, tiu mbajë të ndarë nga rruga e zhvillimit, se ju duhet që të jeni të papunë dhe të inatosur tiu përdore sa herë ka fushata. Unë ja them këtu në shesh të burrave, nëse Saliu dhe gjithë arkivat e televizioneve dhe radiove te tij nxjerrin njëherë të vetme ku unë me figure apo me zë të kem përdorur këtë term për ju unë tërhiqem nga politika dhe iki nga Shqipëria. E dini sepse në Shqipëri ka vetëm një shpellar dhe ai quhet Sali Berisha. Ai e ka kthyer Shqipërinë në shpellën e Ali Babës dhe 40 hajdutëve, deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.
Rama: Kemi një projekt të qartë për rilindjen e minierave
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të Përrenjasit. Gjatë fjalës së tij, Rama kërkoi votën e minatorëve të kësaj zone, duke premtuar ndryshim të situatës së këtij sektori në Përrenjas. Saliu ka refuzuar propozimet tona për minatorët, kujt ja tregon ky që do ta çojë moshën e pensionit 50 vjeç, që do ulë çmimin e naftës kur i ka refuzuar me votë në parlament propozimet tona. Ne duam të nxisim investitorët të vijnë këtu dhe të realizojnë një projekt konkret. Nuk ka komunist më të keq, është specia e mbijetuar e luftës së ftohtë. Edhe krom edhe skorie në të njëjtën kohë. Ne nuk tregojmë përralla, ne duam ta rilindim këtë sektor, na duhet që të kemi një projekt të qartë që të mbyllim ciklin, që materiali të përpunohet brenda përbrenda, tha Rama. Edhe në Përrenjas, kreu i PS-së premtoi zgjidhjen e pronësisë së tokës si deh legalizimin e banesave. Prona në Shqipëri është bërë lesh e li, çdo vit që kalon komplikohet. Asaj i janë mbivendosur orekset e oborrit të kryeministrit, që i ka transformuar çështjet e pronës në një çështje pushtimi. Pushtim i pronave nëpërmjet abuzimit me ligjin dhe shtetin ka ndodhur në të 4 anët, duke privuar shqiptarët pronarë, duke mos përfunduar reformën e tokës dhe duke mos i zgjidhur problemin e legalizimeve. Këto janë problemet, e para pronarët që ngelën gjyqeve pa marrë zgjidhje, fermerët që punojnë tokën, por që certifikatë të tokës nuk kanë dhe e treta, pronat e ndërtuara me gjak e sakrifica në kushtet e mungesës së shtetit që nuk po legalizohen. Zotohem se brenda mandatit të parë dorëzojmë certifikatat e tokës, do përfundojë reforma e tokës tha Rama.
Kthehen emigrantët, Veliaj: Do
jeni aksionerë në qeverinë e re
Kandidati për deputetë i Partisë Socialist në qarkun e Gjirokastrës, Erion Veliaj zhvilloi një seri takimesh me emigrantët shqiptarë në Greqi të cilët janë nisur drejtë Shqipërisë për të votuar në zgjedhjet e 23 Qershorit. “Motra dhe vëllezër kjo është hera e fundit që ju stërmundoheni duke udhëtuar drejt qyteteve tuaja të lindjes për të votuar sepse qeveria e partisë Socialiste do të garantojë të drejtën e votës në vendet ku ju tashmë keni ndërtuar jetët tuaja. Ju do të jeni aksionerë në qeverinë e ardhshme. Për ne ju nuk jeni vetëm dërgues të parave për të mbushur arkën e shtetit pas abuzimeve të qeverive të papërgjegjshme. Ju jeni aksionerë të zhvillimit e për rrjedhoje duhet të jeni pjese e qeverisjes” deklaroi Veliaj në takimet me emigrantët shqiptarë në Kallamata, Mesina, Veria dhe Athine.
PS, Librazhd: Drejtori i spitalit
presion ndaj administratës
Kreu i degës së Partisë Socialiste në Librazhd, Kastriot Gurra depozitoi një kallëzim penal ndaj Drejtorit të Spitalit të këtij qyteti, Liman Mënalla. Sipas Gurrës, drejtori i spitalit po ushtron presion ndaj punonjësve të administratës shtetërore për të fotografuar votën e tyre në 23 Qershor 2013. Sipas kreut të PS-së në Librazhd, drejtori i spitalit Liman Mënalla dhe kryeinfermierja Elisabeta Ziko, janë kallëzuar penalisht në prokurori gjatë ditës së martë. Ata akuzohen për ushtrim presioni ndaj punonjësve të spitalit, që të votojnë për PD-në. Sipas denoncimit, ata kanë kërkuar nga personeli që të fotografojnë votën e tyre, në mënyrë që të shohin nëse kanë votuar për PD-në. Gjithashtu, ata akuzohen se kanë tentuar që të mbledhin edhe kartat e identitetit të punonjësve të spitalit.