Legalizimet, shtyhet procesi për 100 mijë ndërtime informale
Akuzat e opozitës: Qeveria i bën ndryshime ligjit sa herë që ka zgjedhje
Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje është shtyrë, duke iu dhënë kështu mundësinë e legalizimit edhe atyre objekteve që deri më tani kishin mbetur jashtë këtij procesi ligjor. Bëhet fjalë për rreth 100 mijë ndërtime pa leje, të cilat me ndryshimet e reja kanë mundësi të bëhen legale.
Amendimet
Ndryshimet dhe amendimet e këtij ligji janë diskutuar dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, dhe kanë ngjallur debate të ashpra mes të majtëve dhe të djathtëve. “Po, është e vërtetë që jemi të detyruar ta spostojmë këtë afat, për shkak se dhe vetë pushteti vendor nuk ka arritur akoma kapacitetet e duhura që të menaxhojë territorin dhe të ndërpresë rrethin vicioz të ndërtimit informal.Ndërhyrjet e fundit në ligjin për menaxhimin e territorit i kanë dhënë me shumë kompetenca vendorëve. Ligji i legalizimit ka lidhje me sfidën e rregullimit të territorit dhe kjo reformë kërkon kohën e vet,” tha dje në komision zëvendësministri i Transporteve, Flamur Kuçi.
ALUIZNI
Ndërsa drejtori i ALUIZNI-it Ardian Kollozi u shpreh se: “Ne kemi sjellë këto ndryshime për të bërë të mundur të legalizohen ndërtimet informale të shtrira në të gjithë territorin e Shqipërisë. Natyrisht, që, ne e kemi shtyrë më tej propozimin tonë; kërkojmë që të përfshihen në efektet e këtij ligji dhe ato ndërtime që janë realizuar pas vitit 2006, vit dhe datë kur ka hyrë në fuqi ky ligj. Të legjitimojmë dhe legalizojmë mundin, djersën, sakrificat, stresin të qindra e mijëra familjeve shqiptare”.
Opozita
Pritet të përfitojnë nga këto lehtësira edhe ndërtimet e kryera anës rrugëve nacionale, pasi është hequr respektimi i largësisë nga rruga prej 100 metra. Opozita akuzoi se qeveria i bën ndryshime ligjit sa herë ka zgjedhje dhe se po i hapet rruga legalizimeve edhe mbi rrugë, kolektor etj. “Pse këto ligje vijnë gjithmonë një muaj, dy muaj, tre muaj para çdo procesi elektoral. Meqë është fushatë i fusin një gënjeshtër tjetër dhe e bëni ligj dhe njerëzit të kenë një hapësirë më shumë. Pse nuk u sollën bashkë ndryshimet në ligj kur ne e diskutuam pak kohë më parë në Parlament. Pse institucioni që ju përfaqësoni asnjëherë nuk arriti në këto 8 vjet ti japi fund ndërtimeve pa leje”, deklaroi deputeti socialist, Blendi Klosi.
Procesi
Në total deri më tani ALUIZNI ka konstatuar 270 mijë ndërtime pa leje, prej tyre 225 mijë janë kualifikuar, ku 95 mijë prej tyre janë në proces të kalimit të pronësisë dhe 74 mijë të tjera kanë marrë tashmë leje legalizimi.
Debatet Shalsi-Kollozi
Eduard Shalsi: Pse ky ligj vjen për amendim me urgjencë në prag të fushatës?
Ardian Kollozi: Jemi duke punuar intevisivisht, kemi një plan kombëtar, plani po zbatohet dhe mbyllet brenda vitit 2013. Qindra dhe mijëra ndërtime pa leje pengohen nga barriera që ka ligji duke humbur barazinë para ligjit. Në këtë kontekst sjellim ndryshimet pasi kemi bërë gati 75 mijë leje, kemi dhënë 95 tapi ne vijmë dhe konstatojmë se numri i dosjeve vjen duke u reduktuar. Sjellim këtë për të përmbyllur gjithë procesin, e shtyjmë efektin për ndërtimet që janë ndërtuar pas vitit 2006, të cilat ishin përjashtuar nga ligji. Propozimet tona japin zgjidhjen përfundimtare.
Eduard Shalsi: A jeni konsultuar me grupet e interesit për ndryshimet ligjore që paraqisni në Kuvend?
Ardian Kollozi: Jemi në kontakt të përditshëm me grupet e interesit propozimet janë në përkrahje të gjithë grupeve të interesit si të atyre që kanë ndërtuar pa leje ashtu edhe të pronarëve. Siç legalizojmë djersën e mundin e mijëra shqiptarëve kurojmë edhe interesat e pronarëve që i kompensojmë deri në qindarkën e fundit.
Eduard Shalsi: Cila është fatura financiare e këtyre ndryshimeve ligjore?
Ardian Kollozi: Është i njëjti proces. Vetëfinancohet nga tarifat që aplikohen deri tani për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Eduard Shalsi: Sa kohë duhet që nga hyrja në fuqi e ligjit deri në dhënien e tapive?
Ardian Kollozi: Për sa i përket atyre dosjeve që kemi administruar mbarojnë në fund të viti 2013. Me eksperiencën e fituar dhe me kushtet teknike që kemi arritur procesi do të mbyllet në një kohë të shkurtër. Ne deri tani përgatisim rreth 3 mijë dosje në javë dhe llogaritja është e thjeshtë për këdo.
Eduard Shalsi: Sa herë është amenduar ky ligj, sa ndryshime janë bërë ligjit bazë deri tani dhe pse?
Ardian Kollozi: Ky ligj është amenduar 4 herë. Nga ndryshimet ligjore ku do të përfshihet legalizimi i ndërtimeve pas vitit 2006 dhe i shtesave të pallateve ka një përllogaritje nga Banka Botërore, e cila ka një shifër rreth 100 mijë ndërtime pa leje. Ne do të kemi një shifër të saktë pas fotografimeve nga ajri.