E Diel, 1 Nëntor 2026

Legjenda e futbollit anglez Kevin Keegan ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare

LONDËR, 20 korrik /ATSH/- Kevin Keegan, një nga futbollistët dhe trajnerët më të mëdhenj në historinë e futbollit anglez, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, raportoi “The Sun”.

Familja bëri të ditur se ai ishte diagnostikuar me kancer të stomakut në fazën e katërt në janar, pasi ishte shtruar në spital për probleme të vazhdueshme.

Në deklaratën e familjes thuhet se Keegan luftoi me sëmundjen deri në fund dhe ndërroi jetë pranë bashkëshortes Jean dhe dy vajzave të tyre.

Ata falënderuan ekipin mjekësor për kujdesin e treguar dhe kërkuan privatësi në këtë periudhë të vështirë.

Keegan ishte dy herë fitues i Topit të Artë (Ballon d’Or), duke mbetur i vetmi anglez që e ka fituar këtë çmim dy herë.

Ai konsiderohet një nga futbollistët më të mëdhenj të Anglisë. Me Liverpoolin fitoi:

  • 3 tituj kampionë të Anglisë,
  • 2 Kupa UEFA,
  • 1 Kupë FA,
  • 1 Kupë Evropiane

Me Newcastle United, fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner, Keegan u shndërrua në një figurë legjendare.

Si trajner, ai e riktheu klubin mes më të mirëve në Angli dhe e udhëhoqi drejt dy vendeve të dyta radhazi në “Premier League”, duke qenë shumë pranë fitimit të titullit në sezonin 1995–1996.

Ai drejtoi edhe kombëtaren e Anglisë nga viti 1999 deri në vitin 2000, si dhe Manchester City, të cilin e riktheu në “Premier League” në vitin 2002.

Pas lajmit për vdekjen e tij, Newcastle United e cilësoi Keegan si “një nga figurat më ikonike, më me ndikim dhe më të dashura në historinë e klubit”, ndërsa Manchester City vlerësoi rolin e tij në ringritjen e skuadrës.

Ish-sulmuesi Alan Shearer, që luajti nën drejtimin e tij, shkroi: “Heroi im. Trajneri im. Miku im. Pusho në paqe, shef.”

Edhe Princi William e nderoi me një mesazh, duke e përshkruar Keegan si një futbollist dhe trajner të jashtëzakonshëm, i cili frymëzoi breza të tërë me talentin, pasionin dhe dashurinë për futbollin.

Kevin Keegan la pas bashkëshorten Jean, me të cilën ishte martuar që nga viti 1974, dhe dy vajzat e tyre, Laura Jane dhe Sarah Marie.

Ai do të kujtohet si një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit anglez. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›