E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjenda e kapiten Zanetit 800 herë zikaltër

Gazeta Shqip

Havier Zaneti vendosi një rekord absolut, duke mbajtur veshur për plot 800 herë fanellën e Interit. Një shembull i papërsëritshëm në historinë e futbollit; një futbollist shembullor; një kapiten i madh

Kur flasin faktet, fjalët kanë pak vlerë, ato nuk mund të shtojnë asgjë në përcaktimin e vlerave. E ka thënë bukur trajneri aktual i Interit, që për ironi të fatit është më i vogël se ai në moshë: Zaneri duhet klonuar, ai nuk është qenie njerëzore. Një mendim që të gjithë dashamirësit e futbollit e aprovojnë, pasi për një person të tillë, tifozllëku nuk njeh ngjyrë, por i nënshtrohet mirënjohjes së vlerave, pavarësisht se cilës skuadre i përket. Ndoshta as vetë Zaneti nuk arrin ta kuptojë madhështinë e asaj që ka arritur në karrierën e tij, e që i bën tifozët zikaltër ta shikojnë atë si udhëheqësin më të madh të të gjitha kohërave. Ai vazhdon të bëjë detyrën e tij me përkushtim, duke djersitur çdo ditë me përulësi, plot pasion dhe me një besnikëri të paimagjinueshme ndaj fanellës zikaltër. Dhe kur tashmë janë kapërcyer të gjithë kufijtë, është e pamundur që të mos e kthesh kokën mbrapa dhe të kujtosh atë 27 gusht, ku argjentinasi bëri debutimin në Serinë A.

39 vjet më parë në 10 gushtin e vitin 1973 do të lindte një njeri, të cilin trajneri Stramaccioni do ta quante Njeri i Bardhë. Në Buenos Airesin që jetonte një nga periudhat më të bukura të historisë së këtij qyteti do të vinte në jetë Havier Adelmat Zaneti.

17 vjet më parë në Milano do të mbërrinte një njeri. Në pamje të parë dukej si një aktor telenovelash. Së bashku me të ishte edhe një tjetër argjentinas, për të cilin Interi kishte ndërmend të shpenzonte shuma marramendëse, por njeriu i duhur ishte pikërisht Havier Zaneti. Dhe vetëm pak ditë pas mbërritjes së tij, Havier Zaneti do të bënte debutimin me Interin. Ishte 27 gushti i verës së vitit 1995. Interi fitonte atë ditë përballë Viçencës në San Siro me një gol të brazilianit Roberto Karlos. Argjentinasi në debutimin e tij luajti në të djathtë në mbrojtje, kishte një fizik të bëshëm, vraponte shumë dhe me një dëshirë për të mos u dorëzuar kurrë. Ishin të njëjtët përbërës të Zanetit që ne njohim sot, ishin që atë pasdite të verës së vitit 1995 në San Siron gjysmë të boshatisur dhe barin e zverdhur nga vapa.

6 maj 1998, në Paris, Në Parkun e Princave, ky njeri do të shënonte golin e dytë për Interin, në Finalen e Kupës UEFA kundër Lacios. Një e djathtë e dhunshme nga jashtë zone, një fytyrë e padepërtueshme, një vrapim me krahët e hapur, e më pas përqafimi ngazëllyes i shokëve të skuadrës.

Vera e vitit 1999, Bepe Bergomi, një tjetër legjendë e Interit kishte vendosur të varte këpucët në gozhdë dhe shiriti i kapitenit i përkiste tashmë Havier Zanetit. Ishte takimi i Kupës së Italisë kundër Castel di Sangro, ndeshje të cilën Interi e fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0. Por më shumë sesa ky rezultat, takimi në fjalë emëroi Havier Zanetin si kapiten të Interit. Ishte vetëm 26 vjeç dhe për të sapo kishte nisur të shkruhej historia e lavdishme.

13 maj i vitit 2003, lotët e tij njeriu hynë në zemrën e të gjithë tifozëve zikaltër. Ishte gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve me Milanin. Përfundoi 1-1, por nuk mjaftoi që Interi të shkonte në finale, pasi takimi i parë ishte mbyllur në barazim pa gola. Një zhgënjim për Zanetin, që ëndërronte medoemos finalen e Ligës së Kampioneve me Interin.

22 maj 2010, ky njeri u pa sërish duke qarë. Atë mbrëmje ishin lotët e të gjithë tifozëve zikaltër. Këtë herë ishin lotët e gëzimit, që kishin një jetë që kërkonin të shpërthenin. Ishin lotët e triumfit më të madh të karrierës së këtij njeriu. Interi fitoi Ligën e Kampionëve dhe njeriu që duhej të ngrinte në qiell kupën e ëndrrave ishte pikërisht Havier Zaneti.

Një vit më parë, Havier mori të parin karton të kuq në karrierën e tij. Pas 17 vjetësh kishte një penalitet, që një njeri perfekt nuk e meritonte. 4 ditë më parë, në Piatra Meant të Rumanisë ky njeri shënoi 800 ndeshje me fanellën e Interit. Tashmë ai është kthyer në një legjendë. 800 herë zikaltër, plot 800 herë një kampion i vërtetë.

Legjenda e kapiten Zanetit 800 herë zikaltër burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›