E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strasburgu: 58 paditë për pronat kundër Shqipërisë

TIRANE-Ndërsa në Gjykatën e Strasburgut janë në proces shqyrtimi rreth 80 çështje të ngritura nga ish-pronarë kundër Shqipërisë, deri tani numërohen disa dhjetëra padi të shtetasve shqiptarë të cilëve u është njohur e drejta nga ana e Gjykatës Evropiane. Një listë e gjatë e vendimeve gjenden të pasqyruara pa shumë publicitet në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Sipas dokumenteve zyrtare të qeverisë, pranë Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut ka rreth 58 kërkesa kundër Shqipërisë, të komunikuara dhe 50 në pritje komunikimi, në të cilat pretendohet shkelja e të drejtave të pronësisë dhe e të drejtave të tjera të lidhura me to. Ajo që i bën çështjet të ngjashme është fakti që paditësve shteti ua ka njohur të drejtën e pronës, por nuk ka hedhur asnjë hap për t'ua kthyer apo kompensuar. E rëndësishme është të përmendet se të gjithë paditësve u është njohur nga ana e Gjykatës së Strasburgut e drejta, ndërkohë që vendimet shoqërohen me orientime për përmbushjen e së drejtës nga ana e shtetit shqiptar.

Rastet e gjykuara në Strasburg
I tillë është rasti i familjes Gurgaj, pjesëtarët e së cilës jetojnë aktualisht në Itali. Babai i ankuesve ka qenë pronar i disa trojeve në Shqipëri, me sipërfaqe 324.7 hektarë, ndërkohë që Gjykata e Rrethit Fier, me vendim të datës 15 mars 1996 u ka njohur ankuesve të drejtën mbi truallin e babait të tyre. Më 10 shtator 1996, Komisioni i Tokës i njohu z. Idriz Shateli të drejtën e pronësisë mbi dy parcela toke me sipërfaqe prej 17.100 m2. Rezulton se ankuesi është përpjekur që ta regjistrojë pronësinë e parcelave në Zyrën e Re-gjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në përputhje me të drejtën e brendshme, por që nuk ia ka dalë mbanë. Po ashtu, më 10 shtator 1996, Komisioni i Tokës i ka njohur z. Përparim Shateli, z. Ali Shateli, z. Shpëtim Shateli, z. Kasem Mici dhe z. Selman Mici, të drejtën e pronësisë mbi një parcelë toke, përkatësisht me sipërfaqe prej 4.700 m2, 4.800 m2, 4.600 m2, 4.300 m2, 3.300 m2. Rezulton se ankuesit janë përpjekur për të regjistruar parcelat e tokës në regjistrin e ZRPP-së, në përputhje me të drejtën e brendshme, por që nuk ia kanë dalë mbanë.
Në çështjen "Mullai" dhe të tjera kundër Shqipërisë, ankuesit janë trashë-gimtarë të Z.M., i cili, në vitin 1947 ishte pronar i një vile trekatëshe dhe një parcele toke afër saj të vendosur në qendër të Tiranës. Në një datë të pacaktuar në vitin 1947 autoritetet e kanë konfiskuar pronën, e cila mbeti në zotërim të tyre deri në vitin 1994.

Në rastin e Afërdita Hamzarajt, më 16 shkurt 1995 Gjykata e Rrethit Lushnjë ka njohur ekzistencën e të drejtave të pronësisë të nënës së ankueses mbi një ngastër toke prej 13.000 m2 (vendim për vërtetim fakti). Ankuesja pretendon se, sipas Ligjit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave (Ligji i Pronës), dikur në vitin 1995 ajo paraqiti një kërkesë pranë Komisionit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës, Lushnjë, (zëvendësuar nga Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave për arsye të Ligjit të Pronës të vitit 2006) duke kërkuar kthimin e pronës së hershme të nënës së saj. Nuk rezulton asnjë informacion i dokumentuar lidhur me zhvillimet nga viti 1995 deri në vitin 2007.

Në rastin e familjes Gjonbocari, prindërit e ankuesve kishin në pronësi disa ngastra toke që në total mund të llogariten në 132 hektarë tokë, të cilat u konfiskuan nga regjimi komunist. Këto ngastra gjenden në qarkun e Vlorës, në bregdetin jugor të Shqipërisë. Në çështjen "Driza" dhe të tjera kundër Shqipërisë, bie në sy se në Shqipërinë e paraluftës i ati i ankuesit ka qenë pronar i një furre buke në Tiranë dhe një parcele toke përkatësisht me 6 000 metra katrorë. Në vitin 1960 shteti shqiptar e shkatërroi ndërtesën dhe e shpronësoi tokën, ndërkohë që Gjykata e Strasburgut ia njeh të drejtën e kësaj prone dhe i kërkon shtetit shqiptar t'ia njohë apo t'ia kompensojë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›