Legjislatura e XIX, Nishani: Kuvendi i ri mblidhet në 9 shtator
Sesioni i ri parlamentar do të nis punimet të hënën e dytë të muajit shtator, me datën 9. Në bazë të Kushtetutës Presidenti, Bujar Nishani dekretoi dje fillimin e legjislaturës së XIX pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
Dekreti
Në dekretin e Kreut të Shtetit për legjislaturën e re thuhet se në mbështetje të nenit 67, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi mbledhjen e Legjislaturës së XIX të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ditën e hënë, datë 9 shtator 2013, ora 18:00. Dekreti i Presidentit Nishani, erdhi një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, ku mazhoranca e re e koalicionit të majtë do të ketë 83 mandate, ndërsa opozita e djathtë do të ketë 57 mandate deputeti.
Seanca e Parë
Sipas rregullores së Kuvendit, seancën e parë e drejton deputeti më i vjetër i Kuvendit. Duke ju referuar viteve, kryeministri në detyrë, Sali Berisha është edhe deputeti më i vjetër. Por, Berisha bërë ti ditur se nuk do të pranojë që të drejtojë seancën e parë të Kuvendit. Pas tërheqjes së Berishës, duket se seancën do ta drejtojë, Gramoz Ruçi si deputeti i dytë më i vjetër i Kuvendit. Pas seancës së parë, sipas marrëveshjes PS-LSI të bërë publike tashmë posti i Kryetarit të Kuvendit do ti takojë kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Të hënën e 9 shtatorit do të bëhet edhe betimi i 140 deputetëve të rinj të Kuvendit, të dalë nga vota e 23 qershorit.