Lehne:Dialogu mes Kosovës e Serbisë të trajtojë çështjen e veriut

Dialogu teknik mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të bëhet më shumë politik dhe të trajtojë çështjen e autonomisë së veriut të Kosovës. Kështu është shprehur ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës Stefan Lehne për mediat serbe. Sipas tij edhe pse dialogu i deritashëm teknik ka qenë produktiv, për t`u arritur përmirësim i dukshëm i marrëdhënieve, është i domosdoshëm një proces gjithnjë e më shumë politik ku të përfshihet edhe veriu.
“Veriu duhet të jetë temë e rëndësishme e këtij dialogu, por jo edhe e vetmja. Një qasje më e gjerë do t`i kontribuonte shanseve më të mira për balancimin e interesave të palëve. Procesi duhet të fillojë së shpejti, por duhet të ketë edhe fazën përgatitore të “diplomacisë” ndërmjet Beogradit, Prishtinës dhe veriut të Kosovës”, ka thënë Lehne.
Thelbi i autonomisë për veriun, sipas tij, duhet të negociohet. “Në vend se të merret cilido model nga një pjesë tjetër e botës, marrëveshja duhet të jetë e përshtatshme për t`iu përgjigjur situatës në veri të Kosovës. Është e domosdoshme që të gjendet një balancë mes dëshirave të banorëve lokalë për të kontrolluar vetë fatin e tyre dhe faktit që ky rajon do të jetë pjesë e Kosovës dhe duhet të ketë lidhje të domosdoshme me autoritetet e Prishtinës”, ka thënë Lehne për gazetën beogradase “Politika”.
I pyetur nëse pret kushte të reja për Serbinë për nisjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Lehne ka thënë se “udhëheqësit kryesorë të BE-së kanë shprehur qartë dëshirën për largimin e strukturave paralele” nga veriu.
Duke folur për shpalljen e zgjedhjeve lokale serbe në po këtë pjesë të Kosovës, diplomati austriak ka thënë se një gjë e tillë është kontradiktore me qëndrimin e Beogradit, i cili “vazhdimisht bën thirrje për respektimin e Rezolutës 1244 dhe në anën tjetër vepron në kundërshtim me të”.