Lehtësohen procedurat për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali
Lehtësohen procedurat për lëvizjen e qytetarëve shqiptarë që duan të dalin nga Italia, të cilët kërkojnë të rinovojnë lejen e qëndrimit ose lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit për punësim në Itali. Kjo, pasi Ministria e Brendshme e Republikës së Italisë mori miratimin nga Këshilli dhe Komisioni i Bashkimit Evropian për krijimin e lehtësimeve për të lejuar tranzitin përmes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian e qytetarëve të vendeve të treta, të cilët janë në pritje të rinovimit të lejes së qëndrimit. Burime nga ambasada e Italisë në Tiranë konfirmuan gjatë ditës së djeshme lajmin për lehtësimin e lejimit të qëndrimit tranzit të emigrantëve të huaj. Sipas tyre, do të lejohet dalja nga territori italian i qytetarëve shqiptarë që jetojnë rregullisht në Itali, të cilët kanë kërkuar rinovimin e lejes së qëndrimit ose lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit për punësim, punë të pavarur ose për bashkim familjar. “Ky lehtësim është i vlefshëm nga 1 gushti 2008 deri më 31 janar 2009 dhe do të aplikohet vetëm për qytetarët e huaj që në ardhje nga Italia apo të drejtuar drejt Italisë disponojnë në momentin e tranzitit në zonën Schengen dokumentet e duhura”, - thuhet në komunikatën e ambasadës italiane në Tiranë. Lidhur me dokumentacionin e nevojshëm, ambasada italiane sqaron se kërkohet kuponi i lëshuar nga Posta italiane S. P. A., që vërteton paraqitjen e kërkesës për rinovimin e lejes së qëndrimit. Gjithashtu, duhet të paraqitet një pasaportë në periudhë vlefshmërie dhe leja e skaduar e qëndrimit. “Qytetarët e huaj në pritje të lëshimit për herë të parë të lejes së qëndrimit për punësim, për punë të pavarur ose për bashkim familjar mund të kthehen në vendin e tyre të origjinës ose në vendin ku banojnë dhe të hyjnë sërish në territorin italian, pa qenë e nevojshme për vizë rihyrjeje”, - deklaron ambasada e Italisë në Shqipëri. Për t’u bërë e mundur kjo, mjafton që të respektohen kushtet e mëposhtme: dalja dhe rihyrja në Itali të bëhet nga e njëjta pikë kufitare dhe udhëtimi të mos parashikojë tranzitin nëpër vendet e tjera Schengen.
Ndërkohë, i huaji duhet të paraqesë pasaportën së bashku me vizën e hyrjes, në mënyrë që të kuptohen arsyet e qëndrimit (punësim, punë e pavarur apo bashkim familjar), si dhe kuponin e postave italiane SPA, që vërteton kërkesën e bërë për lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit. Kurse personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit dhe kuponin, që do të paraqiten nga personi që i zotëron, në momentin e daljes dhe rihyrjes në Itali.