Krushka e Berishës, pronare te kompleksi sportiv “Partizani”
Vendimi i qeverisë për terrenet sportive ka nxitur debate të mëdha në opinion publik. Shkak është bërë impakti i këtij vendimi, i cili nuk ka shtrirje kombëtare, për shembull në gjithë qytetet e Shqipërisë, por vetëm në një klub, te klubi “Partizani” dhe tek aneksi i stadiumit “Qemal Stafa”.
Antena u interesua të dinte se si është e vërteta e këtij vendimi dhe kush fshihet pas tij. Fillimisht, nuk kuptonim pse iu duhen kthyer pronarëve vetëm tokat e komplekseve sportive dhe jo dhe të stadiumeve. Mendja na shkoi te stadiumi “Dinamo” në qendër të Tiranës, ku janë pronarë familjet më me emër të Tiranës në vitet ’30, të cilat po persekutohen për shkak të një stadiumi jofunksional në qendër të kryeqytetit, i cili fare mirë mund të ishte në Vaqar apo diku në periferi, ku janë gjithë stadiumet e botës. U interesuam pranë pronarëve të këtij stadiumi, po ngritën supet. - Nuk fitojmë gjë ne, - thanë. - E kanë me klubin “Partizani”.
Shkuam te klubi “Partizani”. Dhe aty një mishmash i vërtetë në origjinën e pronës. Disa pronarë ua kishin shitur italianëve pas vitit 1939 dhe tani ishin bërë prapë pronarë. Pyetëm si është e vërteta dhe kush qëndron pas vendimit të qeverisë. Njëri prej pronarëve na shpjegoi se familja Begeja, pronare e ligjshme e një pjese territori, kishte gjetur një lidhje te dhëndri i kryeministrit, të cilin e kanë nip dhe ia kishin falur. Pra, krushka e Berishës, d.m.th., nëna biologjike e dhëndrit të tij ishte trashëgimtare e asaj prone. Kjo kishte bërë që vajza e kryeministrit të angazhohej në një konsultë ligjore me qeverinë dhe të arrihej në këtë vendim...
Shkuam më tej, te kompleksi sportiv “Dinamo”, por aty nuk kishte ndonjë shqetësim, pasi drejtuesit e klubit dhe pronarët kishin bërë marrëveshje paraprake para këtij vendimi për të bashkadministruar territorin përmes përqindjeve. Vendi i tretë ku mbetej të shkonim ishte aneksi i stadiumit “Qemal Stafa”. Në krah të fushës së sportit, aty ku është ish-palestra dhe më pas ish-“TV Klan”, ishte e njëjta histori. Një nga pronarët e “TV Klan” e ka blerë me marrëveshje me pronarët tokën dhe ky ligj vetëm sa ia legjitimon, por nuk e favorizon në proces, pasi e ka zgjidhur paraprakisht me pronarin. Të vetmit që fitojnë realisht janë pronarët e kompleksit “Partizani”.
Të qartë më në fund për rëndësinë që ka fakti të jesh i lidhur me familjen në pushtet, pyetëm administratorin Flamur se si e shpjegon ai këtë vendim të qeverisë.
I kapur ngushtë, se s’kishte shumë informacion, na kërkoi të bënte një telefonatë me atë burrin. Pas pak filloi të na sqaronte.
- Dëgjo, - tha, - të flasim hapur, se u kam miq. Mos dëgjoni ça thonë lart e poshtë për dhëndrin e doktorit. Lepuri fle gjetkë. Parimi që ka ai burri, është i qartë. Gjithë njerëzit që ka bërë sherr, përpiqet t’i përçajë nga ish-bashkëpunëtorët e tyre dhe pastaj i afron. E mbani mend sherrin që ka pasur me Pollon, kur iku nga PD? Gjithmonë pyeste: “Kush e financon, serbët, grekët, gjermanët, amerikanët....?” Nuk dilte asnjë shenjë. Në fund u mor vesh që e financonte ai Bert Xhani. Atë nuk e fal kurrë ai burri. Dhe nuk ka më mirë se sa t’ia nxish jetën një njeriu, duke e bërë të shikojë tmerr me sy. D.m.th., të shikojë atë që e ka sponsorizuar për zëvendëskryeministër dhe ta detyrojë të firmosë kundër tij për t’ia hequr tokën e klubit nga duart. Për këtë e ka bërë. Do t’i japë një mësim të mirë gjithë atyre që i sponsorizojnë armiqtë. Se për armiqtë vetë ai burri nuk çan kokë. Po me sponsorët e tyre e ka inatin. Ata nuk i fal dhe mirë ua bën. Kështu ua ka bërë gjithë sponsorëve të kundërshtarëve të tij. Ose i ka detyruar të paguajnë tek unë, ...d.m.th., në PD, ose ua ka bërë si Xhanit. Ua bën mirë plehrave. Se ashtu e duan. Si qengja bëhen. T’i shikosh si rrinë në radhë kush të paguajë i pari. Mua ca kohë filloi të më zihej Delijorgji me Xhillarin kush të paguante më shumë. Por tani u zgjidh, se njëri iku. Kjo është e vërteta, ç’të të them unë. Nuk do t’i bëjë nder dhëndrit. U siguroj për këtë. Do thjesht të hakmerret ndaj atyre që i morën Pollon nga duart. Dhe s’ka më mirë se sa kur hakmerret tani që e ka futur Pollon në rresht.