Leksione hegjemoniste nga ambasadori shqiptar
Kur ska kush tua tregojë vendin që u takon, ambasadorë si Islam Lauka mund të shkojnë aq larg sa të japin leksione historie dhe të shfaqin hegjemoni Shqipërie.
Nga Imer Mushkolaj
EXPRESS
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, duket se harroi ku gjendej të hënën, teksa po jepte leksione që më së paku i takojnë një diplomati, në një tubim shkencor në Prishtinë. Në konferencën Shekulli i shtetit shqiptar, ai jepte verdiktin se kush duhej ti takojë kombit shqiptar dhe sulmonte të gjithë ata që mendojnë se po ngjizet edhe kombi kosovar.
Me një gjuhë që do tia kalonte edhe vetë Sali Berishës në momente ekzaltimi, Lauka po thoshte se ata që mbështesin idenë e ekzistimit të kombit kosovar kanë për qëllim që ta lënë kombin shqiptar pa histori, pa të ardhme.
Lauka po fliste si të ishte midis Tirane, e jo në cilësinë e një ambasadori të Shqipërisë në një tjetër shtet. Në një shtet, qytetarët e të cilit nuk janë veç shqiptarë, por edhe serbë, boshnjakë, turq, romë Në një shtet që quhet Kosovë, që ka një kryeqytet që quhet Prishtinë, që ka një himn e flamur dhe që po krijon një identitet shtetëror.
Me një gjuhë që vështirë se do ti shkonte madje edhe ndonjë nacionalisti shkurtpamës, Lauka nuk po bënte gjë tjetër veçse po shpërfaqte në mënyrë agresive gjithë hegjemoninë e artikuluar në Tiranë ndaj Kosovës. Ai, madje, plot mllef dhe me aspak takt po i porosiste të gjithë ata që nuk e ndiejnë veten se i takojnë kombit shqiptar, që ta ndërrojnë kombin.
Lauka, tropojani studiues i rusishtes dhe ish-numri dy i ambasadës shqiptare në Moskë, shfaqi frikën edhe nga ajo që e quajti histori alternative, ndërkaq i dha vetes të drejtë të thotë edhe se bartësit e këtyre tezave pseudo-shkencore, sipas tij, kanë për qëllim që shqiptarëve tua vjedhin historinë.
Për ata që e mohojnë se i takojnë kombit shqiptar, ambasadori Lauka e ka një porosi: ta kërkojnë ndonjë tjetër komb!
***
Pasi ishte i ftuar në konferencën me temë Shekulli i shtetit shqiptar, atëherë Lauka do të duhej të fliste për shtetin shqiptar, pjesë e të cilit Kosova (përjashto një kohë të shkurtër gjatë Luftës së Dytë Botërore) nuk ishte asnjëherë gjatë 100 vjetëve.
Përpara se të hidhte vrer ndaj të gjithë atyre që smendojnë si ai, Lauka mbase do të duhej të fliste për problemet dhe pengesat praktike me të cilat përballen të dy shtetet. Për shembull, mund të sqaronte më shumë rreth patateve kosovare që po bllokohen nga Shqipëria.
Po ashtu do të mund ta porosiste Kosovën edhe të mos e merrte shembull Shqipërinë as për një shekull shtet, as për njëzet vjet demokraci.
Por, jo. Lauka zgjodhi të flasë me logjikën e përfaqësuesit të shtetit shqiptar si padron i Kosovës. Me logjikën e përfaqësuesit të qendrës që ia ngre veshin periferisë, me logjikën e përfaqësuesit të kombit që smund ta paramendojë se nga gjaku i vet po lind një komb i ri. Si nuk kanë mundur ta paramendojnë edhe shumë shtete tjera rreth nesh.
Për tua çuar peshë zemrat qytetarëve shqiptarë të Kosovës, Lauka imitoi Sali Berishën e Prizrenit të një dite më parë, vetëm se ky u tregua edhe më i rreptë. Dha leksione më të ashpra, më të prera.
Ai që e ndjen veten se nuk i takon këtij kombi, është i lirë të zgjedhë një komb tjetër, tha Lauka, thuajse ai vendos se kush cilit komb duhet ti takojë. Ai i dha vetes të drejtë edhe që ti përjashtojë nga Kosova të gjithë ata që ndihen kosovarë. Madje, sipas tij, shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë të kërkojnë komb. Ata e kanë dhe jo vetëm e kanë, por janë lulja e kombit shqiptar, thekson ai, si për tia vënë kapakun gjithë diskursit pseudo-patriotik e pseudo-nacionalist që është shpeshtuar kohën e fundit në Tiranë.
Në cilësinë e një ambasadori, Lauka do të duhej të tregohej i kujdesshëm dhe të merrte vendin që i takon, si i ftuar në një konferencë, pa pasur nevojë të mbajë leksione historie.
Do të ishte e udhës të fokusohej ekskluzivisht në shekullin e shtetit shqiptar, për krijimin e të cilit kontribut të madh dhanë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës. Dhe, përfundimisht të pajtohet me faktin se Kosova është shtet i pavarur e jo krahinë e Shqipërisë. Se Kosova nuk është shtet njëetnik, por shumetnik. Se Prishtina nuk e sheh Tiranën si nënë, por si partnere. Se qytetarët e Kosovës duhet ta ndërtojnë shtetin e tyre, kombin e tyre.
Në cilindo vend normal deklaratat e Laukës do të shkaktonin skandal diplomatik. Por, në Kosovën jonormale dhe inferiore ndaj Tiranës, Lauka mbetet i pandëshkuar. Sepse Kosova ende konsumon me bollëk gjithë atë që i vjen nga Shqipëria. Prishtina ende ndihet e stërkequr nga idetë hegjemoniste të Tiranës.