Me “leksikografë” si Edi, standardin e kishte marrë lumi!
Edi Rama nuk ka asnjë mendim të drejtpeshuar. Në librin e tij “Kurban” mbizotërojnë frazat tingëlluese, mendimet e çekuilibruara, hiperbolat me teprime të tejmasshme, mungesa e një stili të përkorë, kakofonitë që të çjerrin timpanin e veshit. Por, ato që do të binin ndesh me gjykimin e cilitdo gjuhëtar, janë neologjizmat jashtë çdo kriteri gjuhësor. Si njeri që nuk respekton asgjë në jetë, për shkak të megalomanisë së tij që háset në çdo veprimtari politike, polemike, shkrimore, si edhé në intervistat para kamerave televizive, ajo që dallohet menjëherë është shpërfillja harbute, - do të thoshim, - e standardit gjuhësor. Autori thotë se e njeh mirë gjuhën e njësuar. Por nuk ia thotë këtë askush nga gjuhëtarët. I druhen mujshisë së tij?
Është e vërtetë se gjuha e njësuar shqipe u jetësua zyrtarisht në vitet 70 të shekullit të mëparshëm. Është e vërtetë, po ashtu, se si bazë e gjuhës letrare - siç quhet shpesh, - është vendosur arbitrarisht nga diktatura gjuha e jugut. Çka është një padrejtësi historike. Por është e pavërtetë që kjo gjuhë është quajtur, për mllef apo për paaftësi gjuhësore, “gjuha e Enverit”. Aq më tepër kur është përfolur si “gjuha e Androkli Kostallarit”, kur kanë dhënë ndihmesën e tyre cilësore gjuhëtarë të shquar të diasporës, si edhe gjuhëtarët brenda kufijve zyrtarë, si Kostaq Cipo, Mahir Domi, Pavli Haxhillazi, Palok Daka e të tjerë, që nuk janë toskë. Dy të meta të rëndësishme të standardit të sotëm gjuhësor janë: Mungesa e një numri të madh të leksikut të pasur të gegërishtes, si edhé dalja jashtë përdorimit e paskajores. Mangësia e parë është plotësuar hap pas hapi pas vitit 1990 të ndërrimit të sistemeve; për paskajoren dhe përdorimin e saj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm Mehmet Elezi, në përdorimin e paskajores, në shkrimet dhe në fjalorët e tij. Një anë e mbarë e standardit është edhe mënjanimi i fjalëve të huaja të zëvendësueshme. Gjuhëtari M. Elezi ka qenë i prerë, në këtë drejtim. Në rivlerësimin e gegërishtes, ai jo vetëm që e pasuroi siç e meritonte gegërishten me fjalët e saj të munguara në fjalorët tanë, por dha shembullin e vet në pastërtinë e shqipes, gjersa nuk përdorte fjalën antikomunist, por kundërkomunist.
Mendimet për një qëndrim të anshëm ndaj standardit, në kuptimin që të rifillohet një njësim i ri, me bazë Shqipërinë e mesme, nuk kanë zënë vend. Arsyeja është e thjeshtë. Një gjuhë standarde e re nuk bëhet me vite, por me dhjetëvjetësha; mbase édhe me një hark kohor të një gjysmë shekulli. Shkurt: do të ishte një luks përkundrejt interesave kombëtare. Argument: Le të merrej me mend në marrëveshjen e Ohrit për shkollat shqiptare në Maqedoni, sikur të përfliteshim që ishim, nga ata që s’na duan, parakë gjer në shkallën sa nuk kishim asnjë gjuhë të përbashkët!
Pra, kundër gjuhës së përbashkët kanë dalë ose ata që i njohin mirë të dy dialektet tona themelore, por që nuk parashikojnë pasojat; ose ata që nuk e njohin standardin gjuhësor, që u sanksionua në një Kongres, me synimin e një gjuhe të njësuar, që përbëjnë pjesën dërmuese të grafomanëve . Kështu bëhen gabime tipike në faqet e para të gazetave. Për ta qartësuar me shembuj, mjafton të japim vetëm dy: kompromentuar në vend të komprometuar; dhe recension ekonomik në vend të fjalës recesion. Tepër të përhapura këto, në faqet e shtypit të përditshëm.
***
Tani, le të vijmë te “Kurbani” i E. Ramës, në të cilin të dy recensentët nuk kanë mundur dot të vënë dorë veçse në drejtshkrim dhe asfare në standardin. Jo më kot nuk shohim asnjë emër redaktori apo korrektori letrar, të cilët nuk do të mund të shfajësoheshin me hapi rrugën... (atij)! Na duket domethënës që emri i të ndjerit Ardian Klosi nuk gjendet fare në libër, përveçse në fletën ambalazhuese të ballinës, në pak rreshta që lëvdojnë guximin e autorit dhe vlerat “që mund maten vetëm në të ardhmen”. Edhe në faqet mbyllëse (441-442), në të cilat falënderohen “punëtoret e punëtorët e mirëmbajtjeve të çerdheve, kopshteve, shkollave, rrugëve, parqeve, mirërritjen e pemëve, ndriçimin e qytetit, pastrimin e larjeve të tij të përditshme ... (e shtatë rreshta të tjerë) të cilët vite të tëra punuan pa orar (ndërsa shefi i tyre punonte me part-time! - shënim)”, dhe shkohet te të dy emrat si recensentë, që lëvdohen për “ormisjen” e dorëshkrimit. Asnjë falënderim për A. Klosin, kujtimet ndaj të cilit (por edhe a doni më për Belulin=vetveten) i kishte lënë për nekrologjinë. Kjo është një dëshmi se një gjuhëtar si i ndjeri nuk mund të pajtohej kurrsesi me fjalët e fabrikuara të Edvinit. Dhe, meqë kjo është tema jonë, cili nga gjuhëtarët mund të gëlltisë neologjizmat që stonojnë, e që do të rendisim vetëm disa prej tyre: F.22: mëkatarë “gojëpashmagje”; 22. pasion “hipokriziak” (nuk u thënka dot pasion hipokrit? Apo e ka mendjen tek afrodiziakët! ); 102: “i mbrapshtudhëhequr”; 152: aferë “kuçedrike”; 350: burime “të aksesueshme”; 378: “indiferentizuar”; 427: shkrimtarët “e tiranizuar”; 67: “barrikadim” force; 70: të reja “të dollandërdisura”; 34: ulërinte “i çakërgjakosur” ; 39: të punohet “pasionalisht”...
Për prishjen e bashkisë së kryeqytetit përdoret “folja” “dinamituar”. Duke mos e njohur asfare standardin, e ka bërë librin thuajse të palexueshëm. Le të marrim fjalën “pasion”. Standardi, ndonëse përjashton fjalët e huaja që mund të kenë shqipen përkatëse, e pranon këtë fjalë si emër dhe si folje: “pasionuar”. Fjala “burrë” për shembull, pranon edhe ndajfoljen “burrërisht”. Por kjo nuk të lejon që të sajosh ndajfoljen “pasionalisht”. Përndryshe do të dilnin edhe ekstravagantë të tjerë që të përdornin pension- pensionalisht! Version- versionalisht! Pavarësisht se “përpjesëtim” - “përpjesëtimisht” është normative, para se të zëvendësohej fjala “proporcion” me “përpjesëtim”, përdorej edhe “proporcionalisht”. Ky leksikograf arbitrar i lejon vetes çdo shmangie nga standardi gjuhësor, me krijime neologjizmash si në kovaçhane! Asnjë gjuhëtar nuk i ka dalë në mbrojtje këtij lloj standardi të shpikur. Folëm diçka më sipër për kakofonitë: Nja dy shembuj, për të qenë konkretë: “Publiku... çmësohet me çmësimin e imponuar (33). Një tjetër: “S’ di se me ç’çmim (e pagova)”. Le të gjendet recituesi më i mirë që ta shqiptojë si duhet atë “ç’çmim” në kuptimin “se me çfarë çmimi”! Por kjo është pasojë e atij truri kundërestetik, që autori e ka të pamundur ta shmangë. Në saje të këtij defekti ai, nga sindroma që të duket kurdoherë origjinal, paska “të drejtën” e tij që “të shëmtuarën” ta quajë të “bukur” dhe anasjellas, që shkon gjer në skajet që të “gënjeshtrën” ta quajë “të vërtetë” dhe anasjellas! A nuk është kakofonike edhe ajo “turma e shkalluar te shkallët e stadiumit (35)? “Shkalla” është, vërtet, një homonim në të dyja fjalët ngjitur, por tingëllimi e bën antipatik frazën e pakontrolluar!
Po të flasim, pastaj, për stilin, gjejmë fraza të pambaruara, në të cilat thuajse ka dalë, jashtë përdorimit shenja e pikësimit që quhet pikë! Në fund të faqes 433, periudha e gjatë tërkuzë mbyllet në faqen 434, pas 27 rreshtash! Kuptohet vetiu, kur vetëm një pjesëz e këtij numri të stërmadh rreshtash mund të citohet, sa për t’iu marrë frymën lexuesve që lexojnë me zë: “...më kanë kaluar në sfondin e asaj pamjeje momente, ngjarje, muaj e vite të një kohe të ardhur me premtime të mëdha për mësuesin e poezive të padëshiruara, për tërë studentët, nxënësit, pedagogët, artistët, shkrimtarët, mjekët, ushtarakët, shkencëtarët, ekonomistët, arkitektët, inxhinierët, historianët, agronomët, policët, sociologët, punëtorët, gazetarët, peshkatarët, përkthyesit, zanatçinjtë, tërë shqiptarët e qytetit e të fshatit, ish skllevër në ara, fabrika, kantiere, apo ish të burgosur e të përndjekur politikë në llagëmet e luftës së klasave, përpara të cilëve u çel si magji rruga e të gjitha ëndrrave shpresave, dëshirave, ambicieve, mundësive, e të gjitha rrugëve të tokës, ajrit, detit, rruga e Shqipërisë si gjithë Europa”. Ja edhe pika e uruar, më së fundi. Kjo mundet edhe të mos vihej fare. Sepse vazhdimi është: “Të cilën (Europë, shënim), asnjëri syresh...” etj. Janë vënë të gjitha profesionet e mundshme, por jo veterinerët! Janë vënë punëtorët, por jo blegtorët! Janë vënë arat, fabrikat e kantieret, por jo luginat, bregoret e kriporet! Shyqyr. Se do të mbyteshim nga asfiksia! Dhe jemi te pjesa e së tërës. Po t’i jepet për lexim deklamueses më të mirë, do t’i duhej pompa e oksigjenit, pranë! Kemi lista profesionesh, apo renditje elementesh të natyrës, por arti mungon. Miku i tij, i lodhur nga jeta, por që i ka pas ofruar faqet e një antologjie, duke se – më së fundi – nuk deshi të vërë firmën në një libër të çoroditur, ku të mbyt monotonia...Doemos që kuptimi bëhet opak...
Grandomania e ka përthithur të tërin në këtë libër që s’ka as letërsi, as qartësi mendimi, as stil. Kishte të drejtë Bosyéi (Bossuet) që thoshte në veprën e tij “Sermons” se stili është njeriu. Ilir Meta ka dhënë një mendim interesant për “autorin e “Kurbanit”: “Ai shkruan mirë, por pa përmbajtje”. Pjesa e parë e fjalisë, le të themi se është njëfarë finese që kërkon t’i hapë rrugën pjesës së dytë, të cilën s’e luan as topi. Kjo pjesë e dytë, “pa përmbajtje”, natyrisht që mund të zgjojë interpretime. Nuk ka dyshim se mungesa e përmbajtjes vështrohet në një konotacion negativ. Mungesa e përmbajtjes e katandis librin në një grumbull fletësh të përngjitura, që nuk mund të marrin emërtimin e një “vepre”, të çdo natyre qoftë: publicistike, filozofike, letrare, epistolare etj. Po krahasimi i librit të Ramës me “Veprat” e babait të tij shpirtëror, Enverit, a mund të bëhet? Mendimi (i shumë të tjerëve dhe imi, natyrisht) është pohues: Kurbani dhe Veprat janë mashtrime të përgënjeshtruara në 180°. Edi e bëri autodafé librin e tij të parë, “Refleksionet”, ashtu sikundër Enveri i vlerësoi figura të njohura të luftës nacionalçlirimtare si heronj dhe, më pas, si tradhtarë! Edhe Rama njëlloj i trajtoi veteranët e n.çlirimtares: si njerëz që duheshin varur (dhe partia e tyre duhej nxjerrë jashtë ligjit), gjer në skajin tjetër të zijafeteve me po ata veteranë, në 16 shtatorët e Pezës. Tjetër? “Veprat” shiteshin me orientim partie. Edhe për “Kurbanin” kishin dalë listat detyruese për anëtarët e PS-së se sa libra do të shpërndaheshin në Berat, sa në Dibër, sa në Lushnje, sa në Rubik....Shumë prej atyre belbëzuesve të natyrës së “këpëdarëve ” e blenin në panaire librash, për t’i marrë firmën kryetarit që i kishte bërë “kongresmenë”! Kështu shtohet tirazhi! Siç bënte Enveri me fosko dinuçët, të cilët pas zijafeteve gratis në plazhet tona, ngarkoheshin me librat për të sqaruar dynjanë për fanarin e vetëm ndriçues. E, megjithatë, në katet e poshtme të Pallatit të K.Q., karshi një banke arabe të sotme, dukeshin nga xhamet pa perde të këtyre bodrumeve, pirgje “Veprash”, édhe pas ndërrimit të sistemeve.
Po dallimet? “Veprat” kaloheshin në sitën e specialistëve të gjuhës dhe ishin të paqortueshme në këtë kuptim. Kureshtarët i lexonin edhe për të parë inkoherencat sesi në një vëllim portretizoheshin njerëz si të devotshëm , të përkushtuar, të palodhur e të suksesshëm në detyrën e tyre të nderuar, të dekoruar me medaljet më të larta. Dhe sesi, po këta individë, na dilnin pas disa vëllimeve, si tradhtarë, të shitur, poliagjentë... Ndërsa librat “Kurban” të Edi Ramës do të bëhen së shpejti kurban të proliksitetit të tejmasshëm, të stilit që përfaqëson njeriun e çoroditur, (siç e pamë te Bosyéi), te bastardimi i gjuhës së njësuar, ku shkruhet shumë e për lumë dhe nuk kuptohet se ku kërkon të dalë. Një libër i hallakatur, për të cilin shumëkush është shprehur se kuptohet pak ose aspak. Kuptohet vetëm një etje përvëluese për origjinalitet. Më shkurt: për të nxjerrë veten ne pah, si egocentrik i asaj shkalle, ku UN-i i autorit zotëron gjithçka. Më shkurt fare: një libër i palexueshëm!