E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksioni i lamtumirës i Henk van den Dool

Share

Nga Ardian Ndreca

Ditët e fundit ish ambasadori danez, Karsten Jensen, dhe ai holandez, Henk van den Dool, përshkruen me ngjyrime realiste, pra të errta e gati të pashpresa, kuadrin klinik të politikës dhe të shoqnisë shqiptare. Nuk mund të mos jemi dakord pikë për pikë me fjalët e tyne dhe smund të mos admirojmë ma në fund dy zane që dallohen prej kumbimeve kundërthanëse e sibiline që dalin prej gojës së nji numri të madh ambasadorësh që bajnë hije kot në Tiranë.

Në intervistën e lamtumirës van den Dool nënvizoi nji numër të madh aspektesh negative të politikës dhe shoqnisë shqiptare, tue nisë tek primitivizmi, arroganca, mungesa e vetëdijes politike, putanizimi i shoqnisë shqiptare, pseudo-vlerat e saja, korrupsioni kapilar, anmiqsia mes qytetarit dhe shtetit etj.

Ishte mbresëlanëse sesi nji i huej në nji kohë relativisht të shkurtë kishte mujtë me kuptue aq thellë problemet dhe psikologjinë tonë. Tue lexue intervistën e tij qytetari shqiptar mund të nxjerrin këto mësime:

Kodi zgjedhor asht kthye në nji rrjetë marimangash ku mbesin vetëm mushkajat dhe jo brumbujt e politikës, aq ma tepër që ai kod interpretohet prej nji komisioni të drejtuem nga nji mashtrues sa ordiner aq edhe arrogant; Nanoja asht nji hije e së kaluemes, nji bufon i mërzitshëm që për të kaluemen e tij do të duhej marrë mbrapa me gur që në aeroport; zgjedhja e presidentit qe jo konsensuale; demokracia shqiptare asht e papjekun dhe jofunksionale; në Shqipni vijon anmiqsia mes qytetarit dhe shtetit-Leviatan; ekziston ende ideja se në demokraci funksionon inercia dhe tradita familjare; ka nji mungesë të vullnetit politik të shumicës për integrim; kujtesa historike e shqiptarëve asht e ngjashme me atë të sklerotikëve, të cilët kujtojnë detaje të fëmijnisë por harrojnë edhe emnin e bashkëbiseduesit; Gërdeci, zhdukja e dëshmitarit Trebicka, vrasjet e 21 janari janë përbaltja e demokracisë shqiptare…

Nji prej pikave kyçe të intervistës ishte çështja sesi zgjedhin të votojnë shqiptarët. Simbas van den Dool ata ma së shumti votojnë të shtymë prej traditës familjare, pra nuk janë të lirë prej së kaluemes së tyne dhe nuk përballen realisht me të tashmen. Fenomeni asht edhe ma i ndërlikuem, por gjithsesi ajo çka thotë ambasadori mbetë e vërtetë.

Ideologjitë e forta kanë ra tash dy dekada dhe konfrontimi i sotëm nuk asht ma antikomunizëm/komunizëm, siç pohon pafundsisht Berisha, por shtet/antishtet, dhe në ketë përballje dialektike në këto dy dekada, vendi i tij dhe i ortakëve të tij transversalë asht në llogoren e antishtetit.

Me aq sa pohoi van den Dool në vjeshtë sdo ta marrim statusin pse Berisha ska vullnet me hy Europë, ai sheh dikund tjetër mbasi modeli i tij i qeverisjes nuk asht ai liberal europian, por ai despotik oriental.

Ndër 12 prioritetet deri tash asht plotësue vetëm nji, këto ditë opozita asht nën presion për votimin e heqjes së imunitetit. Shpresojmë që të mos pranohet drafti i LSI-së, pse me nji gjyqsor të korruptuem e të politizuem deri në palc dhe me nji prokurori të pazonjën me veprue lirisht, heqja e imunitetit mund të shenjonte dënimin kapital të opozitës. Që heqja e imunitetit asht e kotë e për ma tepër nji tallje për shqiptarët e tregoi mbyllja e aferës Meta, gjykimi i turpshëm i Gërdecit, tallja me viktimat e 21 janarit, vjedhja e fondeve të rrugës së kombit e shumë çështje tjera minore.

Ajo që opozita duhet të bajnë mbas refuzimit të statusit duhet të jetë impenjimi me të gjitha mjetet për rrëzimin e kësaj qeverie dhe krijimin e nji qeverie teknike që të na çojë drejt zgjedhjeve të ardhshme, kjo asht rruga e vetme për me u çlirue prej nji njeriu që përditë e ma shumë, për aq sa e lejojnë kushtet dhe mjetet që zotnon, po ec në gjurmët e Enver Hoxhës, sekretarit të parë të partisë së vetme që ia komandon tkurrjet e muskulit kardiak.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›