E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi aktual zgjedhor dhe pabarazia e votës

Share

Nga Eduard Zaloshnja

Në një intervistë në shqiptarja.com, kreu i PDS-së Paskal Milo iu bashkua korit të partive të vogla që kritikojnë dy partitë e mëdha, PD dhe PS, për mospërfshirjen në reformën zgjedhore të korrigjimit kombëtar të sistemit proporcional rajonal.

Në përgjigje të pyetjes nëse mund të ngrihet një komision i veçantë parlamentar për të adresuar problemin e pabarazisë së votës në sistemin aktual Milo u përgjigj: Nuk [ia vlen ] të ngrihet një komision parlamentar për një çështje të tillë. Nëse do të kishin vullnet dy forcat [e mëdha ] politike, do ta kishin zgjidhur edhe këtë çështje. Nuk do të kërkonte shumë kohë, ndoshta vetëm pak orë për ta hedhur në letër.

Shpesh është diskutuar nga partitë e vogla pabarazia e votës në sistemin aktual dhe është sjellë si shembull për këtë pabarazi fakti se PSD-ja ose PDS-ja morën mjaftueshëm vota në rang kombëtar për të patur nga 2-3 deputetë në Kuvend, por nuk fituan asnjë mandat. Është një shembull i thjeshtë ky për të ngjitur te dëgjues/lexues jo fort të vëmendshëm e për të krijuar simpati për kauzën, por sështë i duhuri për të ilustruar pabarazinë e votës.

Pothuaj të gjitha sistemet zgjedhore në botën demokratike lënë jashtë parlamentit parti që marrin mjaftueshëm vota në rang kombëtar për të pasur përfaqësuesit e tyre atje. Në sistemet e pastra mazhoritare, nuk ka një kufi ligjor kufiri është aritmetik. Që një kandidat të shkojë në parlament duhet të marrë më shumë vota se konkurrenti i tij i drejtpërdrejtë në një zonë zgjedhore. Dhe ky është pragu aritmetik i tij.

Në sistemin mazhoritar të pastër, një parti mund ti ketë të gjithë kandidatët me 49% të votave në zonat përkatëse dhe asnjëri të mos futet në parlament. Në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, për shembull, ka vetëm një përfaqësues të Partisë Socialiste (454 të tjerët janë Republikanë dhe Demokratë), ndërkohë që kandidatët e saj në rang kombëtar marrin rreth 3% të votave. Po të zbatohej një sistem proporcional i pastër, Partisë Socialiste do ti takonin rreth 13 përfaqësues.

Nga ana tjetër, në sistemet e pastra proporcionale, pothuaj ka gjithnjë një prag ligjor për futjen e partive në parlament. Në Gjermani, për shembull, partitë që marrin më pak se 5% të votave në rang kombëtar, nuk futen në parlament. Në botën demokratike, vetëm Izraeli nuk ka prag elektoral (ligjor apo aritmetik) për partitë.

Me pak fjalë, sistemi ynë zgjedhor nuk përbën përjashtim për sa i përket lënies jashtë parlamentit të partive që marrin mjaftueshëm vota në rang kombëtar për të pasur 2-3 mandate parlamentare. Ai, si shumica dërrmuese e sistemeve zgjedhore, balancon në letër nivelin e përfaqësimit kombëtar me nevojën për një sistem qeverisës të qëndrueshëm.

Një shkelje e barazisë së votës që përbën një shpikje shqiptare është ndryshimi i peshës së votës prej të qenit ose jo pjesë e koalicionit të një prej partive të mëdha. Me sistemin aktual, një parti e vogël mund të fitojë mandat në një qark edhe me 5 mijë vota, në qoftë se është pjesë e koalicionit të një partie të madhe, por do ti duhen të paktën 11 mijë vota në qark, në qoftë se garon më vete ose si pjesë e një koalicioni të vogël. Kështu, për shembull, në zgjedhjet e fundit parlamentare, PDIU-ja fitoi një mandat në qarkun e Vlorës me 4.9 mijë vota, ose PR-ja fitoi një mandat me 6.1 mijë vota në qarkun e Tiranës, ndërsa LSI-së iu deshën 17.5 mijë vota në qarkun e Tiranës dhe 11 mijë vota në qarkun e Fierit për të marrë nga një mandat.

Kjo po, është një shkelje flagrante e barazisë së votës! Shkelje kjo që i detyron partitë e vogla të bëhen vasale të partive të mëdha

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›