“Leksioni”, një vepër thellësisht politike edhe për Shqipërinë
“Edhe për mua... është një enigmë; është thjesht një mrekulli që deri më sot nuk ka ekzistuar. Por tanimë këto pjesë vihen në skenë gati në të gjithë botën. Mund t'ju them vetëm se ky fakt tejkalon atë që një shkrimtar shpreson të arrijë.”- kështu do të shprehej në intervistën e tij të fundit shkrimtari dhe dramaturgu Eugene Ionesco, para se të ndahej nga jeta në vitin 1994. Teatri i Ionescos, që është teatri i absurdit, vjen edhe në skenën e Teatrit Kombëtar. Sonte në mbrëmje në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar (TK) do të shfaqet drama “Leksioni” nga Eugenio Ionesco në bashkëpunimin me TK dhe me Aleancën Franceze. Regjisori francez Frantz Helmer e ka parë në një këndvështrim origjinal "Leksioni-n" e Ionesco-s, të cilën do të mund ta shihni nga datat 19- 22 maj. Në rolet kryesore interpretojnë: Vasjan Lami (profesori), Marsela Lena (nxënësja) dhe Natasha Sela (shërbëtorja). Kjo shfaqje, pas Tiranës, do të fillojë një tur në disa qytete të vendit, si në Shkodër, Elbasan, Korçë, Berat dhe Durrës.
Vepra: Parodia e të folurit, që përfundon në vrasje erotike
“Leksioni” është një pjesë teatrale me një akt, nga Eugène Ionesco, shkruar në vitin 1950. Kjo pjesë tregon historinë e një profesori të moshuar, i cili jep leksione në shtëpinë e tij. Vajza maturante, ka ardhur të përgatitet për konkurs në shkollën e lartë. Gjatë dhënies së leksionit, nxënësja gjithmonë e më shumë nuk arrin të kuptojë se përse flet profesori. Ndoshta ai qëllimisht ia vështirëson mësimin asaj, për të gjetur edhe motivin e nervozizmit të tij, që agravohet deri sa “detyrohet” ta vrasë, dhe të shënojë kështu viktimën e tij të 40-të brenda ditës. “Leksioni” zhvillohet pa ndërprerje, si një dramë me dyer të mbyllura. Kemi një lloj guvernanteje që është si një nënë, kurse profesori është si fëmijë që në fillim hutohet pakëz. Më pas, gjithnjë e më tepër fiton siguri dhe nuk dëgjon më askënd. Ai humbet në detin e fjalëve, bie në kllapi, tiranizon nxënësen, e cila në fillim duket e shkujdesur dhe lajthitja shtohet më tepër, gjersa kalon në krim. Pra, kjo është parodia e të folurit, e cila përfundon në një lloj vrasjeje erotike.
Regjisori Frantz Helmer: Vepra i referohet edhe Shqipërisë
Ambasada franceze ka përzgjedhur regjisorin dhe aktorin francez Frantz Helmer për të vënë në skenë në përvjetorin e 101-të të shkrimtarit dhe dramaturgut francez me origjinë rumune Eugenio Ionesco. “Zgjodha ‘Leksioni’-n për ta vënë në skenën shqiptare, jo vetëm për t’i bërë homazh veprës së Ionesco-s, por arsyeja e vërtetë pse zgjodha “Leksioni”-n është sepse Teatri i Ionesco-s, që është teatri i absurdit, në thelb nuk ka aspak teatër absurd, por thellësisht politik. Ionesco u lind në Rumani, dhe në moshën 15-vjeçare ai shkoi në Paris. Rumania ka kaluar nëpër dy periudha totalitare: Fashizmin, para Luftës së Dytë Botërore dhe më pas komunizmin. Pra, dy regjime totalitare dhe i gjithë teatri i tij nuk flet veçse për këtë. Dhe veçanërisht te ‘Leksioni’ aludon mbi këto dy regjime.”- tha regjisori Frantz Helmer në prezantimin e tij një ditë para premierës. E për këtë arsye regjisori ka zgjedhur që pikërisht këtë pjesë të vërë në skenën shqiptare “Pas meje është një dekor, mbi kokën time është varur një tablo dhe me siguri e keni bërë tashmë lidhjen dhe referencën që bëjmë me një formë të totalitarizmit që Shqipëria ka kaluar. Por pjesa ka me të vërtet ngjyra humori dhe personazhet e Ionesco-s janë marioneta dhe notat e humorit kalojnë nëpërmjet një filli shumë të hollë, një ngarkese e cila transmeton të gjithë nëntekstin e tij politik. Kur them këtë nuk i referohem aspak ndonjë situate aktuale, por i referohet një kohe historike të rëndë”- komenton Frantz.
Vasjan Lami: Roli im jashtëzakonisht kompleks
Personazhi qendror i veprës është Profesori dhe luhet nga regjisori dhe aktori shqiptar Vajsan Lami. “Personazhi i profesorit është jashtëzakonisht kompleks. Personazhi që unë luaj është i ndrojtur, i dhunshëm, poetik, agresiv. Nuk e di se çfarë do të shihni në shfaqje. Unë e ndiej veten herë pas herë të indoktrinuar, sepse kam kaluar 30 vjet nën diktaturë dhe ai ushqim që kemi ngrënë e kemi në tru. Kështu që te ky personazh kam aq shumë për të dhënë. Në çdo xhep ka nga pak komunizëm.” - u shpreh Lami. Por në punën e tij për të sjellë një personazh kompleks, aktori Lami vlerëson ndihmën dhe bashkëpunimin me regjisorin Frantz Helmer. “Puna me Franzin më ka ndihmuar shumë. Gjithmonë gjendet një mesatare midis asaj që ai do dhe asaj që ne bëjmë konkretisht. Duhet të shkojmë ne, me këtë mënyrë pune, me këtë eksperiencë që kemi, drejt shijeve të regjisorit që është dhe e domosdoshme. Kam punuar me regjisorë të huaj si asistent regjisor te “Berberi i Seviljes”, me regjisorin Eric Vigner; “Trojanët”, me regjisorin grek; “Forca e zakonit”, me regjisorin austriak Christian Papke. Pra, Teatri Kombëtar ka sjellë vepra botërore me regjisorë të huaj”- foli Lami si regjisor.
“Nxënësja” Marsela Lena, që inspiroi regjisorin
Regjisori Helmer pohoi se ishte pikërisht bashkëpunimi 2-vjeçar me aktoren Marsela Lena që e nxiti të vinte në skenë “Leksioni”-n e Ionesco-s. “Kam bashkëpunuar me Franzin te Molieri. Unë e kam për herë të parë që dal në skenë me Vasjan Lamin dhe është një nder për mua. Dy vjet përpara kam diskutuar me Franz Helmerin dhe konkludoi se ishte mirë të vihej “Leksioni” për mesazhin politik që përcillte, por dhe për faktin se unë i dukesha e përshtatshme për rolin e nxënëses.
Nxënësja hedh e dëgjon, herë frikësohet prej profesorit. Personazhi im është ndërtuar në shumëllojshmëri situatash.”- tha aktorja Marsela Lena.