Balerini Leon Çino mes “Burrave dhe grave” në Teatrin e Romës
Balerini shqiptar Leon Çino do të ngjitet në skenën e Teatro Greco në Romë më 22 maj me shfaqjen “Tra Uomo e Donna” si balerin, regjisor dhe drejtor artistik. Ai do të jetë protagonist, i shoqëruar nga 10 balerinë të njohur. Pjesa e parë e shfaqjes frymëzohet nga novela “Karmen” e P. Merimesë dhe opera e G. Bizet, e shkruar mbi këtë tekst. Leon Çino ka bërë dhe regjinë e drejtimin artistik të shfaqjes, e cila ka koreografi të Alex Atzewi dhe Tania Matos. Në të përzihen nota të folklorit të Seviljes, që nxjerrin në pah karakterin krenar të Don Jose-s, i interpretuar nga Leon Çino. Pjesa e dytë, “Pasioni”, është një sfidë e vërtetë e baletit, i cili në këtë pjesë prek kufijtë e tij, duke iu afruar të pamundurës. Emocionet, energjitë dhe lëvizjet e trupës arrijnë nivele të larta, të shoqëruara nga notat e tangos. Kjo është muzika që shoqëron e rrëfen marrëdhënien e një çifti. Pasionet e dëshirat rrëfehen nëpërmjet hapave elegantë, emocionet përçohen nga pakësimi gjithnjë e më i madh i hapësirës mes interpretuesve. Balerinët që shoqërojnë Çinon janë: Simona Deiana, Annalisa Cianci, Antonello Mastrangelo, Devis Rada, Barbara Pennavaria, Angelo Marotta, Michela Bruni, Alessandra Calore, Marina Quassia, Eva Capasso dhe Emanuele Giombetti. Koreografi i shfaqjes, Alex Atzewi dhe Tania Matos .