Lëndë shpërthyese në derën e banesës së Ylli Zallës në Fushë-Krujë, i digjet edhe makina. Personi, emër i njohur për policinë

Një shpërthim ka ndodhur gjatë natës në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, në banesën e Ylli Zallës, një emër i njohur më herët për Policinë për shkak të precedentëve të tij penalë.
Sipas policisë, dyshohet se në derën e banesës është vendosur një sasi e dyshuar lënde plasëse, e cila më pas ka shpërthyer.
Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale në banesë, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe automjetin në pronësi të Zallës, i cili ishte i parkuar pranë banesës. Automjeti është djegur si pasojë e zjarrit.
Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar. Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, ndërsa janë nisur hetimet për identifikimin e autorit ose autorëve dhe përcaktimin e motivit të ngjarjes.
Ylli Zalla nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Në të kaluarën, ai është arrestuar dhe hetuar për çështje të lidhura me armët dhe prodhimin e “bombave artizanale”.
Më hërët, autoritetet kanë sekuestruar një arsenal armësh në banesën e tij në Fushë-Krujë. Po në kuadër të hetimeve për një atentat mafioz në Rinas, Zalla është përmendur nga autoritetet për lidhje me personat e dyshuar për ngjarjen. Sipas hetimeve të asaj kohe, nga banesa e tij dyshohej se kishte dalë edhe automjeti i përdorur nga autorët e atentatit, ndërsa Zalla dyshohej se i kishte ndihmuar për sigurimin e armëve.
Zalla ka rënë në pranga edhe në vitin 2014, në një operacion ku u raportua për prodhim të bombave artizanale. Në atë kohë, autoritetet e dyshonin gjithashtu për lidhje me persona të përfshirë në rrjete që rekrutonin shqiptarë për të luftuar në Siri dhe për lidhje të dyshuara me ISIS.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe përcaktimin e motivit të vendosjes së lëndës plasëse në banesë.
/rtsh.al/