Zjarri në hotelin në Vlorë, QSUT jep detaje për të lënduarit: Një paciente në gjendje të rënduar

Pas zjarrit të rënë në një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë, autoritetet shëndetësore kanë dhënë informacion të ri mbi gjendjen e personave të lënduar.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë paraqitur tre persona të dëmtuar nga zjarri, të cilët vijojnë të marrin trajtim mjekësor.
Njëra prej pacienteve paraqitet në gjendje të rënduar shëndetësore, për shkak të përqindjes së lartë të djegieve në trup. Për këtë arsye, ajo kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe kujdes intensiv nga stafi mjekësor.
Pacienti tjetër, sipas QSUT-së, paraqitet klinikisht më i qetë dhe po ndiqet nga mjekët.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës po marrin trajtim edhe dy paciente, të cilat janë paraqitur me dëmtime të shumta pas ngjarjes.
Njëra prej tyre është në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe vijon të jetë nën kujdesin e stafit mjekësor. Edhe pacientja tjetër paraqitet aktualisht e stabilizuar, por për shkak të dëmtimeve të marra do të mbahet nën monitorim intensiv dhe të vazhdueshëm.
Stafet mjekësore në të dyja strukturat spitalore po ndjekin me kujdes gjendjen e të dëmtuarve dhe po u ofrojnë trajtimin e nevojshëm.
Zjarri në hotelin në Vlorë u shënua rreth orës 04:05 dhe shkaktoi plagosjen e 6 pushuesve. Sipas Policisë, zjarri ka qenë aksidental dhe është shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit të hotelit.
/rtsh.al/