E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëndimi i gazetarëve në protestë, Krasniqi: Policia të garantojë sigurinë e tyre

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi ka shprehur shqetësim për lëndimin e gazetarëve dhe vështirësitë me të cilat janë përballur ekipet e medieve gjatë protestës së studentëve sot në Tiranë.

“Pas interesimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u informova se kolegët e lënduar nuk ndodhen më në ambiente spitalore. U uroj shërim të shpejtë dhe shpreh solidaritetin tim me të gjithë kolegët që po raportojnë nga terreni”, theksoi Krasniqi, në një reagim në rrjetet sociale.

Në cilësinë e kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, Krasniqi nënvizoi rëndësinë e krijimit të kushteve të sigurta për gazetaret, gazetarët dhe operatorët, si dhe të garantimit të ushtrimit të lirë të detyrës së tyre, veçanërisht në situata tensioni.

“U bëj thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes dhe përmbajtje ndaj ekipeve të medias, ndërsa inkurajoj Policinë e Shtetit t’i kushtojë vëmendje të veçantë sigurisë së tyre gjatë raportimit”, theksoi Krasniqi.

Kryetarja e AMA-s u shpreh se “gazetaret dhe gazetarët në terren kryejnë një shërbim të rëndësishëm në interes të publikut. Puna e tyre meriton respekt, mbështetje dhe mbrojtje”.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›