E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lesi: Turizmi ka nevojë për ristrukturim

TIRANË- Investimet e shumta të qeverisë kryesisht në rrugë dhe ujësjellësa, nuk mjaftojnë për ta bërë turizimin shqiptar vërtet atraktiv. Ndërkohë që plazhet në një pjesë të tyre mbeten të ndotura, si pasojë e paaftësisë së pushtetit vendor për t’i administruar ato.

Pas përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe ambjentalistëve kritikat në këtë adresë vijnë kësaj here nga vetë zv.ministri i Kulturës Nikoll Lesi, i cili propozon masa të forta ndëshkuese ndaj atyre drejtuesve vendorë që nuk menaxhojnë mirë zonat turistike që kanë në varësi.

“Ndodhemi në një treg konkurues sic është Kroacia, Mali i Zi, Greqia e Italia. Unë jam për masa represive ligjore ndaj gjithë drejtuesve të komunave e bashkive që marrin paratë dhe lënë zonat e tyre me pehra nëpër këmbë, nuk vendosin as kosha, asgjë. Kjo është një pengesë që po na krijon shumë probleme me turizmin”, tha Lesi.

Edhe pse kjo ministri numëron plot 4 zv.ministra, mungesa e ministrit në krye të institucionit, sipas Lesit ka sjellë ngadalësim të punës në këtë drejtim.
“Sado që punojnë të gjithë zv.ministrat, gjithë strukturat, përsëri mungesa e ministrit sjel një lloj ngadalësie. Unë këtë bindje e kam dhe nuk heq dorë nga kjo bindje se duhet sa më shpejtë të vijë ministri në zyrën e tij në katin e 3-të”, nënvizoi Lesi.

Ndërsa ka marrë pjesë në inagurimin e një mediumi të ri në funksion të turizmit, revistës Travel, zv. ministri Lesi u shpreh pro hartimit të një ligji të ri për turizmin si dhe ngritjes së një ministri më vete që të përfshijë mjedisin dhe turizmin. Sipas statistikave, sektori turistik në vendin tonë përbën rreth 50% të eksporteve dhe zë 14,7% të GDP-së.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Lesi: Turizmi ka nevojë për ristrukturim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›