Filmi ‘Ballkan Pazar’, debate mes Kishës e artistëve
TIRANË- Filmi i regjisorit, Edmond Budina ‘Ballkan Pazar’, që trajton në mënyrë ironike skandalin e zhvarrimeve në fshatin Kosinë të Përmetit, ka ngjallur së fundi reagimin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, e cila e ka cilësuar atë si shpifje ndaj priftërinjve ortodoksë shqiptarë. ‘Ballkan Pazar’ e pati premierën në 14 prill, ndërkohë që letra e Kishës Autoqefale, e zbuluar pak ditë më parë, mban datën 26 maj.
“Ky film është një shpifje e turpshme ndaj priftërinjve ortodoksë shqiptarë dhe për pasojë, fyerje e rëndë për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Filmi është në mënyrë ekstreme sarkastik, e duke kaluar çdo cak, i shfaq priftërinjtë si përdhosës varresh, matrapazë eshtrash njerëzore dhe familjet e tyre si imorale”,- thuhet në letër.
Regjisori i filmit Budina, në reagimin e tij në një gazetë të përditshme, i ka krahasuar fjalët e klerikëve me ato të komisarëve komunist, ndërkohë që shprehet i kënaqur që ndër 145 firmat e klerikëve nuk ka qenë firma e Hirësisë së Tij, Anastas Janullatos. Kjo sipas Budinës tregon se, ka ditur të distancohet prej faktit që kjo është një vepër arti dhe jo një traktat politik.
“Ju e gjykoni një vepër arti, një film, ashtu sikundër gjykohej në periudhën e regjimit një vepër, propagandë e mirëfilltë”, është shprehur regjisori Budina.
Ky debat në lidhje me filmin 'Ballkan Pazar' ka përfshirë disa artistë dhe intelektualë, ndër ta edhe shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili në një intervistë në një gazetë e cilësoi letrën e Kishës Autoqefale si një ndërhyrje të pastër të fesë në punët e kulturës dhe artit.
“Këto ndërhyrje i bëjnë dëm artit dhe zhvillimit të tij, por nga ana tjetër rrisin ndjenjën e zemërimit te artistët për të bërë vepra më të forta akoma”,- është shprehur Agolli.
Shkrimtari tha se me kërkesat për ndalimin e kësaj apo asaj vepre arti, njerëzit e fesë janë bërë si Komiteti Qendror i Partisë së Punës, që kontrollonin e ndalonin çdo vepër që nuk u shkonte për mbarë.
Në letrën e Kishës Autoqefale cilësohet si e turpshme mbështetja e këtij filmi nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Në lidhje me këtë, Drejtori i saj, Artan Minarolli është shprehur se duhet të respektohet arti kinematografik, i cili nuk është akt informues, por ka edhe krijimtari artistike.
“Filmi u shfaq për disa javë rresht në rrjetin e kinemave 'Imperial' dhe nuk kemi marrë asnjë reagim nga ana e spektatorëve. Për kinemanë është i rëndësishëm spektatori, ndërsa interpretimet qoftë fetare, burokratike apo shtetërore janë të ndryshme”, ka thënë Minarolli në media.
Komedia “Ballkan Pazar” përcjell idenë e shit-blerjeve jo vetëm të eshtrave, por edhe të ndërgjegjeve dhe shpirtrave njerëzorë, një histori absurde që interpetohet nga aktorët: Visar Vishka, Erand Sojli, Artan Islami, Karafil Shena, Valentina Xhezo, Laert Vasili, etj, ndërkohë që vetë regjisori Budina interpreton rolin e një prifti ortodoks. “Ballkan Pazar” pati premirën e parë në Festivalin e 15-të të Filmit në Sofje.
(e.m/ATA/BalkanWeb)