Lesi takohet me Ramën: Miku im i vjetër më bëri një ofertë dashamirëse për koalicion
Kreu i PS-së, Edi Rama, është takuar gjatë ditës së sotme në selinë rozë, me Nikollë Lesin, kreun e LDK-së. Në përfundim të takimit, Lesi ka thënë se miku i tij i vjetër, Edi Rama, i ka bërë një ofertë dashamirëse për të marrë pjesë në koalicionin e opozitës. Ai ka thënë se kjo ofertë do të vlerësohet dhe në ditët në vijim do të merret një vendim.
Kam një ftesë nga kryetari i PS-së, Edi Rama, të cilën do ta shqyrtoj me kryesinë e LDK-së dhe me miqtë e mi. Oferta është dashamirëse nga kryetari i PS-së dhe ajo do të detajohet në vijim, nëse do të biem dakord. Jam korrekt me mikun tim (Ramën), me të cilin biseduam disa gjëra të kohëve të vjetra, që i shërbejnë një të ardhmeje të re, tha Lesi.
Kohët e fundit Lesi ka shfaqur pakënaqësi për mënyrën se sip o sillet Berisha me aleatët e mazhorancës, duke lënë të kuptohet se mund të bashkëpunojë me opozitën./b.l