E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër nga një admiruese e vogël

Adem Harxhi / New York

Zgjedhja e presidentit e ka shqetësuar shumë klasën politike në vend. Ajo është bërë kryefjala e politikës dhe politikanëve. Kanë filluar pazaret dhe ethet. Gjithkush e do Presidentin të vetin e jo te popullit. Po të donte klasa politike, që Presidenti të ishte i popullit, do tia linin atij në dorë ta zgjidhte. Pa dyshim populli do të dinte të zgjidhte një president për veten, që të ishte më njerëzor dhe të mbronte interesat e tij. Populli di ti  bëjë punët më mirë nga politika e korruptuar. Me shpresën se mund të sjellë një mesazh pozitiv në politikën shqiptare, tanimë në ethet presidenciale, po sjell të përkthyer në shqip, letrën e një vajze njëmbëdhjetë vjeçe, që në datën  15 Tetor 1860, ia dërgonte Kandidatit për President të Amerikës, Abraham Linkolnit.

 I dashur Zotëri

Babai im sa po erdhi nga pazari dhe solli në shtëpi fotografinë tuaj dhe të Z.Hamlin. Unë jam një  vajzë e vogël, vetëm njëmbëdhjetë vjeç, por që dëshiroj shumë që ju të jeni Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe shpresoj se nuk do të mendoni që jam shumë e guximshme sa ti shkruaj një burri kaq të madh sa çjeni ju. A keni edhe ju një vajzë të vogël sa unë dhe po qe se e keni, jepini asaj dashurinë time dhe i thoni të më shkruajë ajo, në qoftë se ju nuk keni mundësi ti përgjigjeni kësaj letre. Unë kam katër vëllezër. Disa prej tyre, do të votojnë patjetër për ju dhe po qe se do të lini tu rritet mjekra, unë do të përpiqem që edhe vëllezërit e tjerë të votojnë për ju, sepse mjekra do tu shkojë shumë mirë, nga që fytyra juaj është shumë e hequr. Të gjitha gratë i duan burrat me mjekër dhe ato do ti ngucin burrat e tyre të votojnë për ju, kështu ju do të jeni Presidenti. Babai im do të votojë për ju dhe sikur unë të isha një burrë, do të votoja gjithashtu për ju. Unë do të përpiqem dhe do të bëj çështë e mundur, që gjithkush të votojë për ju, sepse unë mendoj që korniza në të cilën është vendosur fotografia  e juaj, e bën fytyrën tuaj shumë të bukur. Unë kam një motër më të vogël që është nëntë javë dhe është aq e zgjuar sa nuk bëhet më.  Kur të dërgoni letrën tuaj drejtojeni tek Grace Bedell Westfield Chatauque Conty, New York.

Unë e kuptoj që nuk duhet tu  shkruaj më, ndaj u lutem, iu përgjigjni kësaj letre si një letër lamtumire.

                   Grace Bedell

Përgjigja e Linkoln

Për Grace Bedell                                                        

E dashur zonjushë e vogël                                                                        

Letrën tënde shumë të këndshme të datës 15 e mora.

Më vjen keq që jam i detyruar të të them se nuk kam vajzë. Unë kam tre djem- njëri shtatëmbëdhjetë, njëri nëntë dhe njëri shtatë vjeç. Ata, me nënën e tyre, përbëjnë gjithë familjen time.

Lidhur me mjekrën, që nuk e kam mbajtur kurrë, a nuk mendon se njerëzit do të më quajnë një sevdalli budalla, po qe se e lë tani?

Sinqerisht, të dëshiroj çdo të mirë.

A.  Lincoln

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›