E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja për dije të reja

Ilir Sinanaj

Me ardhjen e demokracisë, Shqipëria filloi të ndërmerrte një proces liberalizmi në shoqëri, ekonomi dhe në fushën e dijes. Ky proces po vazhdon edhe sot e kësaj ditë por gjithmonë duke hasur në pengesat e mbijetojave të një mentaliteti politik totalitar tashmë të dështuar që fatkeqësisht është ende pjesë e psikologjisë së shumë prej pushtetarëve të sotëm. Hapja e vendit tonë me pjesën tjetër të botës ka sjellë zhvillim të tregtisë, një këndvështrim ku shoqëria konceptohet në përmasa më globale dhe një fluks tejet të madh informacioni i cili as nuk mund të imagjinohej këtu e dy dekada më parë.  

Kjo u ka dhënë mundësinë studiuesve shqiptarë të krijojnë marrëdhënie me homologët e tyre qoftë perëndimorë, qoftë lindorë për të thelluar dijet e tyre me anë të bashkëpunimit. Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve të huaj, sidomos ata të fushës së etnologjisë. Kjo është një disiplinë shumë interesante që e ka zanafillën që nga shekulli XVII afërsisht. Por çdo njeri mund të jetë në vetvete një etnolog, dhe i gjithë aktiviteti ynë mund të përbëjë një studim etnografik. Etnologjia është një shkencë e cila studion njeriun dhe veprimtarinë e tij shoqërore dhe kulturore.  Pra me pak fjalë është analiza që njeriu i bën vetvetes.

Për të zhvilluar vendin tonë, studiuesit shqiptar, sidomos ata të rinj, që kanë pasur mundësinë për të marrë një formim akademik që nuk ka prirje ideologjike, duhet të merren me punë kërkimore për të kuptuar më së miri mentalitetin e kombit tonë. Një nga degët e etnologjisë që merret pikërisht me këtë çështje është etnopsikologjia. Duke lëvruar në këtë fushë shkencore, mund të dalin në pah shumë probleme shoqërore dhe si rrjedhojë mund të gjenden zgjidhje. Nê këto vite tranzicioni, sistemi i drejtësi duket se ka dështuar duke i lënë vend, në shumë vise të thella shqiptare, ringjalljes të sistemeve mesjetare të vetëgjyqësisë. Studime mbi të drejtën zakonore dhe si perceptohet drejtësia nga qytetarët shqiptarë në mbarë vendin mund të ndihmonte në solidifikimin e sistemit ligjor demokratik që tashmë është provuar në shumë vende të zhvilluar si struktura bazë e përparimit shoqëror.

Vëmë re se me rënien e regjimit komunist, mbarë qytetet e vendin kanë pësuar ndryshime demografike të rëndësishme. Ky fenomen shquhet më shumë se kudo tjetër në Tiranë. Tirana është bërë një metropol mbarë-shqiptar me banorë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Do të ishte shumë e dobishme të kryheshin studime mbi etno-urbanistikën, pra një degë e etnologjisë që studion pikërisht urbanistikën. Kjo do të ndihmonte vendimmarrjen e bashkive për tju përgjigjur më së miri nevojave të qytetarëve. Po kështu kemi edhe etnologjinë e feve. Që nga viti 1990 kudo në Shqipëri, qytetarët po fillojnë tu rikthehen besimeve fetare. Po vallë çfarë impakti ka kjo në shoqërinë tonë? Mendoj se një studim do të qartësonte së tepërmi vendin dhe rolin që luan feja tek shqiptarët. Etnologjia është një fushë shumë tërheqëse që kërkon përgatitje në shumë disiplina të shkencave shoqërore. I ftoj të gjithë studentët shqiptarë të interesohen mbi këtë fushë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›