E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër një ish-hetuesi

25-09-2012 / Nga Luan Myftiu

O mëkatar!
Të drejtohem kështu, sepse, si e zonja e shtëpisë, ku ti u strehove nga diktatura në këmbim të burrit që më vrave pa faj dhe djalit të vetëm që më torturove pa shkak, kam pritur të ma dorëzoje vetë atë me kohë. Por duket që ti nuk je penduar, as për faktin që na flake në një bodrum plot ujë, as për shpifet kundër nesh për të na degdisur internimeve, se ndoshta të vriste sytë prania jonë në qytet. Po ç’të të kujtoj unë ty më parë? A e mban mend që, kur ndalesha te porta e shtëpisë sime, të çmallesha pak me kujtimet e fëmijërísë, ti më dëboje si të isha ndonjë hajdute? Me siguri të kujtohet se si ma qëllove me shkelma nipin e vockël, kur këputi një trëndafil aty, në kopshtin e gjyshit të vet! Besoj të mos e kesh harruar si t’u luta, kur mbërriti demokracía, të më lejoje të banoja në bodrumin e shtëpisë sime! Si më përcolle duke më tallur se dhe ai bodrum të duhej për tregti? Tani që jam me një këmbë në varr, dua të marr shtëpinë time, të mbushem një herë me frymë si njerí i lirë që jam. E sëmurë rëndë, të prita 20 e kusur vite të mendoje një herë për ne! Mirëpo duket që ti, si mëkatar, mendoje se kjo shtëpi qe prona jote, pasi atë ia kishe “blerë” diktaturës me gjakun dhe vuajtjet tona! Po demokracía përse erdhi? Që të vazhdonin padrejtësítë, apo që ato të zgjidhen paqësisht, që shqiptarët të vëllazërohen? Nëse ty nuk të lënë mëkatet të pendohesh, ç’faj të kemi ne si njerëz të nëpërkëmbur edhe prej teje ? Unë nuk kam të drejtë të ta fal gjakun e burrit, as torturat e tim biri. Por nuk ta mohoj të drejtën për t’u penduar. Si myslimane e mirë, nuk dua të mbyllësh sytë e të shkosh përpara Zotit me një thes mëkatesh në shpinë. Qiraja që më paguaje, qe aq qesharáke, sa nuk më dilte as për të blerë aspirinat. Ajo qe pjesë e talljes së shtetit komunist me të drejtat tona. Nëse mendon përsërí se “ashtu ishin ligjet” e kohës, kërkon që ne të mbetemi fajtorë të përjetshëm, kurse ti me shokët e tu të shpalleni avoketër të ligjeve të “qoftëlargut”! Duke falënderuar demokracínë, që mori vendim të na kthehet shtëpia, besoj se dhe ti ndihmohesh të futesh në rrugën shpëtimtare të pendesës dhe të fillosh të vish era njerí! Duke mos qenë hakmarrëse, nuk mund të mohoj të drejtën time për të marrë atë që më takon. Ti, që dite të sajoje aq akuza nga hiçi, si vallë, nuk gjete një mënyrë të strehoheshe gjatë këtyre 22 viteve në demokrací? Çuditem se si ti, që përfitove aq bukur nga ligjet e padrejta të atij sistemi mizor, të mos kesh gjetur sot mënyra për të shfrytëzuar hapësirat e pafundme, që ka krijuar demokracia për t’u strehuar!(?) Apo, duke na parë ne përsërí me sy klasor, si njerëz me të cilët mund të sillesh si të duash, mendove të na i përvetësoje fare shtëpinë? Unë mendoj që askush nuk të ka faj! Përkundrazi! Mëkatari që nuk pendohet, nuk duhet përkëdhelur, sepse mbetet i pandreqshëm! Megjithatë, nuk dua t’ju mallkoj, as t’ju kujtoj se ç’meriton tamam të pësosh ! Këtë ne viktimat ia kemi lënë në dorë demokracísë! Vetëm të këshilloj të përpiqesh t’i kuptosh edhe ti thellë reformat dhe masat e saj humane! Të kuptosh se, ndonjëherë, edhe ca ligje që s’të pëlqejnë, të bëjnë mirë! Po nuk i kuptove dot kështu, Zoti të ndihmoftë që të shpëtosh shpirtin nga mëkatet!
Në pritje të 1 nëntorit:             
MJERIMJA

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›