E Diel, 1 Nëntor 2026

Leterme-Berishës:Kujdes, zgjidhni krizën politike

TIRANE-Problemi politik në Shqipëri do të jetë në vemendjen e opinionit të Komisionit Europian dhe për këtë arsye inkurajoj qeverinë shqiptare për të zgjidhur problemin politik. Kështu deklaroi sot kryeministri belg Yves Leterme në Bruksel në një konferencë të përbashkët për shtyp që pati me kryeministrin shqiptar Sali Berisha, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës.

Zyra e shtypit e qeverisë shqiptare bëri të ditur se përvec temave të ndryshme si integrimi, vizat marrëdhëniet në Rajon, Leterme ndaloi dhe në situatën politike në Shqipëri duke u shprehur se shpreson se Kryeministri Sali Berisha do gjejë një zgjidhje, pasi KE do të marrë parasysh këtë fakt në raportin për Shqipërinë rreth statusit të vendit kandidat për në BE.

“Pavarësisht kësaj, ekziston problemi i situatës aktuale politike. Ne e diskutuam këtë me Kryeministrin Berisha dhe unë mendoj se ky problem meriton akoma vëmendje dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në vlerësimet e Komisionit Europian në përpilimin e opinionit në nëntor dhe ne inkurajojmë lidershipin dhe qeverinë e Shqipërisë për të gjetur një zgjidhje për problemin”.

“Shumë iniciativa janë ndërmarrë së fundmi gjithashtu në kuadër të aktiviteteve të Parlamentit Evropian dhe zoti Berisha është i angazhuar të shmangë impaktet negative të situatës, në shanset e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian”.

Leterme theksoi se për zgjidhjen e situatës duhe patjetër impenjimi I të gjithë spektrit politik shqiptar. “Ne nga ana jonë këmbëngulëm shumë në rëndësinë e funksionimit të institucioneve, veçanërisht në respektimin e Shtetit Ligjor dhe adoptimin e reformave kyçe legjislative dhe do të inkurajonim të gjitha partitë politike të mbështesin iniciativën e fundit të liderëve të grupeve parlamentare për të dalë nga stanjacioni politik brenda parlamentit në Tiranë”.

Nga ana e tij, Berisha theksoi se mazhoranca e ka respektuar opozitën pavarësisht vendimeve që u morën nga ky spektër politik. “Ka pasur një qëndrim të adoptuar nga opozita gjatë këtij viti, qëndrimi i qeverisë shqiptare ishte në respekt të plotë për opozitën, si dhe në respekt të plotë më shtetin ligjor dhe kushtetutën e vendit”.
Berisha garantoi se mazhoranca se do zbatojë rezolutën që PE votoi për Shqipërinë, porse theksoi se nuk mban përgjegjësi për veprimet e opozitës. “Parlamenti Evropian ka votuar një rezolutë, jam shumë i kënaqur që kam rastin t’i konfirmojë Kryeministrit si dhe miqve të mi në Parlamentin Evropian në të dyja anët; në grupet e qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë, se jam gati ta implementojë shkronjë për shkronjë, dhe është një dokument shumë serioz. Duhet të theksoj se një Kryeministër kurrë nuk mund ta drejtojë opozitën”.

Si Kryeministër jam i detyruar të mos tregoj arrogancë kundrejt tyre, tha ndër të tjera Berisha para mediave në konferencën e përbashkët për shtyp me Leterme. “Ata le të marrin pjesë në komisione, t’ju jap mazhorancën, t’ju jap Kryesinë, të pranoj të gjitha amendamentet e tyre përsa i përket zgjedhjeve të ardhshme, por kjo është çfarë kërkoi rezoluta e Parlamentit Evropian dhe jam gati ta implemetojë atë”.

Të dy kryeministrat më pas ripohuan vendosmërinë e dy qeverive për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, në veçanti shkëmbimet ekonomike - tregtare dhe zgjerimin e investimeve belge në Shqipëri,të cilat po tregojnë gjithnjë e më tepër një interes të lartë për të hyre në tregun shqiptar.

Diskutimet mes dy kryeministrave u përqëndruan edhe në zhvillimet e funidt në rajon në veçanti për Kosovën pas vendimit të GJND-së, ku Kryeministri i Belgjikës ripohoi mbështetjen e plotë të deklaratës së përfaqësueses së lartë të BE-së, baroneshës Ashton.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Leterme: Në vitin 2010 hiqen vizat për shqiptarët Belgjika do rikthejë në atdhe 93 të dënuar shqiptarë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›