Letërsia e huaj, një urë drejt dijes dhe kulturës, Këndi Amerikan tërheq të rinjtë në Bibliotekën Kombëtare

Këndi Amerikan në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë po tërheq çdo ditë të rinj dhe të huaj, duke u kthyer në një qendër të rëndësishme për leximin, studimin dhe shkëmbimin kulturor.
Një hapësirë ku gjuha angleze nuk shërben vetëm për komunikim, por edhe si urë drejt kulturave të ndryshme. Brenda Këndit Amerikan në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, çdo ditë mblidhen të rinj të apasionuar pas letërsisë angleze dhe amerikane.
Me një fond të pasur librash, nga autorët klasikë te botimet bashkëkohore, si edhe me akses falas në bibliotekat digjitale ndërkombëtare, kjo hapësirë u ofron lexuesve mundësi të shumta për studim dhe kërkim.
Krahas studentëve shqiptarë, këtë ambient e frekuentojnë edhe të huaj që jetojnë apo vizitojnë Tiranën.
Në një kohë kur teknologjia është pjesë e pandashme e jetës së përditshme, interesi për librin dhe hapësirat e përbashkëta të leximit mbetet i fortë. Letërsia e huaj në Bibliotekën Kombëtare vazhdon të jetë një pikë referimi për të gjithë ata që duan të mësojnë, të eksplorojnë dhe të zgjerojnë horizontet e tyre.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/