E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërsia e sotme serbe në kërkim të identitetit

Kritika e specializuar serbe dyshon shpesh në ditët tona për nivelin e letërsisë së vendit të saj. E vërtetë, edhe pse letrat serbe kanë një aktivitet shumë të larmishëm, pritjet sjanë aq të mëdha, prej kritizerëve. Anipse, një brez i ri po tenton të hyjë fuqishëm dhe të përcjellë ide të reja, që e shikojnë krejt ndryshe Serbinë e pas luftrave të 00. Për fat, një pjesë e madhe e këtyre shkrimtarëve kanë njohuri shumë të mira dhe po përdorin prirjet më të avancuara të letërsisë bashkëkohore. Epërsia e serbëve të kësaj gjenerate të letrave është se po arrijnë të përcjellin shumë probleme të sotme dhe kanë lehtësinë e madhe të gjuhës pasi shkëmbejnë shumë mes vendeve të ish-Federatës. Edhe pse kritika duket se nuk i përgjigjet kësaj prirje, letërsia serbe në dy dekadat e fundit i ka thyer kohët e indiferencës së vjetër të paraardhësve të saj në drejtim të botës dhe sot ajo mund të shihet, si një e tërë dhe pjesë e një letërsie të këndshme në botë.
Menjëherë pas viteve 90, prirjen e hapjes dhe përfshirjen e të gjithë tematikës serbe në një letërsi me formë dhe kanone shumë të përparuara e përcjellin shkrimtarët e gjallë të sotëm David Albahari, Svetislav Basara, Dragan Velikiæ, Vladislav Bajac, Vladimir Arsenijeviæ, Borislav Pekiæ, Srdjan Valjareviæ e pak të tjerë. Lufta e përditshme e mbijetesës, por edhe realitetet pas shpërbërjes të Federatës janë fijet që ngërthejnë shikimin e ri të realitetit prej këtij grupi. Të gjithë këta e shpjegojnë thjesht me një rrëfim që është gati neorealist dhe disa prej tyre i kthehen sërish traditës, por thjesht si motiv, duke i marrë pjesën fantastike. Shqiptarët, në vitet e fundit, përkthejnë disa prej tyre, pasi letërsia që përzien shumë nga temat e ditës duket se respektohet në shqip.

Rruga e vështirë
Në përgjithësi e vetëdijshme për periudhat e veta të vështira, letërsia serbe vazhdon të bëjë një rrugë plot mundim për ekzistencë dhe respekt në botë. Megjithë kufizimet, ajo i ka ndjekur zhvillimet më të mëdha bashkëkohore për të përmbushur qëllimet e veta estetike dhe nevojën e shkëmbimit social, historik dhe patriotik mes republikave. Shkrimtarët e sotëm serbë dhe sidomos emrat e lartpërmendur janë të vetëdijshëm për qenien e vendit të vogël, por ashtu edhe me të ndërgjegjshëm për kufizimet e ndryshme, që lidhen me kulturën dhe përcjelljen e prirjeve të sotme. Ndaj, ata eksperimentojnë dhe punojnë në shumë drejtime për të justifikuar veten në familjen e madhe të letërsisë botërore. Që duhet thënë ka nisur herët me Ivo Andriæ dhe pak para viteve 90 përshfaqet me një nga autorët më të mëdhenj serbë bashkëkohorë me prozën e tij fantastike, që e kthen seriozisht vëmendjen mbi vete dhe letërsinë serbe. Milorad Paviæ me “Hazarski reænik”, botuar fillimisht më 1984 bën që Evropa të shikojë se serbët prodhojnë jo vetëm letërsi të mirë por edhe tejet të përparuar. Pak muaj më parë (2012), një version i tij përkthehet në shqip dhe një tjetër pritet të botohet shpejt. Edhe pse në të shihet qartë nacionalizmi që do jetë shumë i pranishëm dhe tek autorë të tjerë serbë, mes rreshtave të kësaj proze të kërleshur, ku realizmi fantastik shkon me një fikshën tejet historisë, parashikohet fati i Serbisë të viteve 2000. Mu në këtë kohë, Danilo Kiš i afrohet Nobelit më 1989, por sak në atë vit e mbyll jetën. Serbët mundohen që gjithçka ta transferojnë te Paviæ, i cili në atë që shkruan jo vetëm që i jep nota të reja mesjetës sllave, por bën dhe një letërsi, gati të pabërë kurrë më parë. Është pedagog i letërsisë baroke sllave dhe bota e letrave sllave e përshëndet si akademik dhe letrar dhe madje e shpallin si Umberto Ekon e Lindjes.

Retro
Por, e gjithë kjo prirje, mbase nuk mund të kuptohet po nuk u kalua pak në retrospektivë. Letërsia sllave u formësua mes viteve 1948 dhe 1955, kur dy grupe luftonin me njëra-tjetrën . Një pjesë ishin të ashtëquajturit realistët që duke shfrytëzuar letërsinë me temat e luftës donin të bënin një letërsi të popullit dhe pjesa tjetër, e cila bënte kërkime në formë dhe në mënyrat e reja të shprehjes, që do etiketoheshin si modernistë. Këta të fundit ia dolën të fitonin. Që atëherë letërsia serbe ka vazhduar të kërkojë udhën e vet në këtë realitet. Më shumë proza, pastaj poezia që kulmoi me Vasko Popën, e kuptohet se do ishte Nobeli i Ivo Andriæ më 1961, që i fali një staturë respekti në Republikën e Letrave të gjithë vendit, atëherë pjesë e ish-Jugosllavisë. Veç Andriæ, Branko Copiæ, Mihailo Laliæ, Oskar Daviao, Dobrica Cosiæ, Mesa Selimoviæ, Miodrag Bulatoviæ dhe poetët Desanka Maksimoviæ, Vasko Popa, Miodrag Pavloviæ, Stevan Raickovi dhe Ivan V. Laliæ do bënin historinë.
Fati i letërsisë serbe të kësaj periudhe ishte se u prir paralel me një liberalizëm total të shtetit, që kishte si doktrinë Vetadministrimin. Autorëve iu la dorë e lirë dhe kjo mundësoi që Cosiæ, Popa, Selimoviæ, Bulatoviæ, Kish etj., të bëjnë eksperimente nga më të paimagjinueshmet, krahasuar me kolegët e tyre, që nuk i shkëputen dot një kahu të zverdhur disi të Realizmit Socialist. Në këtë hulli, vinë dhe autorë të tjerë të kohës sonë, e që mesvitet 90 i gjejnë të pjekur. Aleksandar Tisma, Borislav Pekiæ, Dragoslav Mihailoviæ, Slobodan Seleniæ në prozë; Branko Miljkoviæ, Ljubomir Simoviæ, Matija Beckoviæ, tregojnë se trualli sështë aq djerrë. Megjithatë, vazhdimi i luftës së Federatës, që fillon në vitin 1991 dhe zgjat deri më 2000, i izolon edhe njëherë serbët. Ka një kthim tek tradita dhe në të ashtëquajturin “kthim në histori”, ku Vladislav Bajac, thërret edhe njëherë në ndihmë kohën e lavdishme serbe në perandorinë osmane. Është thjesht një reaksion për fiksimin postmodern për formën, shprehet kritika në vend. Jashtë këtyre, Svetislav Basara dhe Goran Petroviæ, përkthyer në shumë gjuhë, tërheqin vëmëndje për këtë tis të ri, ku eseistika me fikshënin shkojnë krah më krah. David Albahari, që jeton dhe punon në Kanada, e mrekullon publikun anglofon me disa romane të përkthyer në anglisht, të tilla si: Words Are Something Else (1996), Tsing (1997), Bait (2001). Mrekullinë e bën vitet e fundit Vladimir Arsenijeviæ, libri i të cilit “Në hambar”, fiton një respekt ndërkombëtar dhe përkthehet në gati 10 gjuhë (mes tyre dhe shqip). Kurse Aleksandër Hemon bën më të habitshmen për serbët. Kur shkoi në Çikago fliste shumë keq anglisht, por tetë vjet më vonë tregimet e tij i boton “The New Yorker”, madje edhe antologjia e njohur Best American Short Stories. Libri i tij i parë shkruar në anglisht, “The Question of Bruno”, botuar më 2000, përdor aq fjalë te reja, saqë i bën kritikët të thonë se: u është dashur të shohin fjalorin.
Sot, fatkeqësisht, letërsia serbe nuk është realisht ndonjë letërsi aq e madhe. Fikshëni serb, me gjithë arritjet, nuk konsiderohet si i aftë të prodhojë ndonjë trend sinjifikant, lëvizje moderne apo shkollë. Ama, ka fatin, që në të njëjtën hulli është edhe letërsia e Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës me të cilat kjo letërsi jep e merr. Letërsia me një gjuhë gati të njëjtë dhe me një histori reciproke, gjithsesi sot përbën një letërsi të pëlqyeshme të Ballkanit perëndimor dhe Evropën e Jugut. Mbase, në ardhjen bashkë të këtyre kulturave të vogla, shikohet ndryshimi që po vjen edhe për serbët. Një aromë, që i ngjan pak asaj të një periudhe të letërsisë të Amerikës Latine.. Srdjan Valjareviæ (i përkthyer po ashtu në shqip) dhe poezia e Milena Markoviæ e afrojnë më shumë këtë realitet të ri, që edhe pse kritikës serbe nuk i pëlqen, e bën letërsinë e tyre që të ketë disi pretendime letrare, megjithëse vendi sot mbetet me një peshë modeste në botë.

(e.m/Milosao/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›