E Hënë, 2 Nëntor 2026

Letërsia përballë internetit – Shkrimtarët mes sfidës dhe mundësisë në epokën digjitale

Interneti dhe platformat dixhitale po sjellin sfida të reja për letërsinë, duke ndikuar në mënyrën se si lexuesit i qasen librit dhe krijimtarisë artistike.

Në këtë kontekst, shkrimtarja Life Hasa thekson se interneti sjell avantazhet e veta, por kërkon gjithashtu një kujdes të shtuar në edukimin e brezave të rinj.

“interneti ka vlerat e veta, të jashtëzakonshme. Mos të harrojmë se për shumë biznese, për prurjet e turizmit në Shqipëri, ka arritjet e veta, por ne do të luftojmë përballë ingternetit shumë. Mendoj që shkollat, ku që në fëmijëri fëmijët duhet të kenë librari, ku të gjejnë libra për femijë. Të edukohen që aty, mësuesja t’i edukojë me një libër të veçantë për fëmijë”, thotë Hasa.

Megjithatë, sipas shkrimtares pavarësisht ndikimit të madh që ka interneti sot, krijimtaria letrare ruan vlerën e saj më të fortë në mënyrën tradicionale të shkrimit dhe leximit.

“Ne e kemi pasion. Edhe ata që nuk shkruajnë bukur, ata duan me bo diçka. Mirë apo keq, një nivel apo pa nivel. Kurse ne e kemi shumë të brendshme. Mua më pëlqen me konkurru. Kur promovojmë letrarë të dobët, lodhem, fyhem dhe them ca jam duke bërë. Megjithatë shkoj ndonjëherë, por konkurrenca është e bukur”, shprehet shkrimtarja Hasa.

Letërsia dhe interneti mbeten kështu dy realitete që ndërthuren, ku sfida kryesore është ruajtja e kulturës së leximit në kohën e teknologjisë.

Gazetar: M. Gjini 

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›