“Letra Amerikës”, ju shkruan Fatos Tarifa
“Letra Amerikës”, libri më i fundit i ish-ambasadorit tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fatos Tarifa, është promovuar dje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës. Ashtu si gjithmonë, ish-ambasadori ka mbledhur në mjediset e Universitetit, që siç shprehet dhe vetë “i është bërë si shtëpi e dytë” miq, kolegë, historianë, studiues etj. “Fatos Tarifa na vjen kësaj radhe me një tjetër arritje, një libër të ri të titulluar ‘Letra Amerikës’, e cila i shtohet listës së gjatë të botimeve të tij. Është një arritje e shkëlqyer, një punim mjaft interesant, një libër që vjen si rezultat i mishërimit në të të një përvoje të gjatë profesionale dhe i pasqyrimit në faqet e veta të një kulture të gjerë të përgjithshme, që rrok fushat të caktuara nga dija dhe shkenca, nga politika, historia sociologjia diplomacia etj. Fatosi në këtë libër na shfaqet ashtu siç është, një diplomat i rangut të lartë, me nivel, vizion, kurajë të admirueshme, energji të pashtershme, fantazi interesante, përgatitje serioze e të gjithanshme. Do doja t’u referohesha fjalëve që Peter Lukas ka thënë për Fatosin në një nga parathëniet e librit të tij ‘Me dashuri për Shqipërinë’. Ai thotë se ‘Fatos Tarifa ka qenë në mënyrë të padiskutueshme më i talentuari ambasador i Shqipërisë në Uashington, më kurajozi, më efektvi, më i respektuari dhe më i ndershmi në detyrë. Ai pothuajse i vetëm e vuri në hartë Shqipërinë në një mënyrë shumë të favorshme, jo vetëm në Uashington, por në të gjithë Amerikën. Asnjë nga ambasadorët që Shqipëria ka dërguar në SHBA nuk ka dëshmuar përpara Kongresit Amerikan me atë elokuencë ekspresivitet dhe krenari si Fatos Tarifa. Asnjë prej tyre nuk bëri ndonjëherë diplomaci politike dhe publike në Uashington dhe në tërë Amerikën si Tarifa. Askush prej tyre nuk ka patur kurajën dhe vetëbesimin intelektual dhe politik që t’i shkruante Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe ndihmësve të tij të afërt në Shtëpinë e Bardhë, si Tarifa.’ Dhe kështu na shfaqet edhe në këtë libër Fatos Tarifa.”- u shpreh në emër të Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Ksenofob Kristafi ish-ambasadori dhe përfaqësues i përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë zyrave të OKB-së dhe të OBT-së në Gjenevë. Ndërsa për historianin Pëllumb Xhufi, një mik i përhershëm i aktiviteteve të UET-it, është një vlerësim që për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër merr pjesë në prezantimin e librit të ri të mikut të tij ambasador Fatos Tarifa. “Ky botim hedh dritë ose dokumenton një pjesë të veprimtarisë së tij, ku si një ambasador i një vendi “të pamundur” të përfaqësojë Shqipërinë në vendin më të fuqishëm të botës. Është një libër i cili na bind se ne sot kemi dy tipe ambasadorësh ose përfaqësuesish të Shqipërisë; ambasadorë të cilët rehabilitohen të bëjnë detyrën e përcjellësit të mesazheve ose detyrën e kryekamerierit që presin e përcjellin bosat e tyre. Këta të fundit janë ambasadorë “fatlumë”, sepse po të shihen statistikat ata jetojnë më gjatë. Tarifa nuk është i këtij takëmi, për fatin e tij të mirë dhe të keq njëkohësisht, dhe, siç del edhe nga ky botim, Tarifa është mbi të gjitha ambasador me integritet me dinjitet” - u shpreh ndër të tjera historiani Pëllumb Xhufi. Libri “Letra Amerikës” është libri më i ri që ambasadori i Shqipërisë në SHBA, në vitet 2001-2005, Fatos Tarifa ua prezanton diplomatëve studiuesve dhe intelektualëve shqiptarë.