E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Enver Hoxha vlerësonte Kanunin e Lekë Dukagjinit

SHKRUAN: Aida Tuci 10-03-2011 10:43

“Duke vlerësuar Kanunin e Lekë Dukagjinit, shoku Enver Hoxha porosit se: ‘Ky kanun duhet të jetë një objekt me vlerë shkencore për studiuesit e shkencave historike, por edhe të gjithë shkencave të tjera shoqërore’”- kjo pjesë shënon pikën kulminante në dokumentarin e regjisores Donika Muçi, i realizuar në vitin 1985. Dokumentari u shfaq në kuadër të Muajit të Grave Kineaste, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, bashkë me dy dokumentarë të tjerë: “Mozaikët” dhe “Qyteti Kështjellë”. Është pikërisht Shqipëria e viteve ’80 në tre filma dokumentarë me tematika të ndryshme që sjellin krijimtarinë e regjisores Donika Muçi në Muajin e Kineasteve, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit. Por nëse në dokumentarin e parë “Mozaikët”, prodhim i vitit 1980, sheh sesi propaganda ka hyrë deri në punimet me gurë të mozaikëve në filmin mbi Shtjefën Gjçovin, duket se shumë elemente i kanë shpëtuar censurës. Bien kambanat e kishës. Në kishën françeskane afrohet një djalë i vogël. Si të quajnë - e pyet prifti - Hile Gjeçi - Sa klasë shkollë ke? - vazhdon prifti. Tri - i përgjigjet djali i vogël. Mirë s’ka gja, të tjerat do t’i vazhdosh ktu, por nuk do të quhesh ma Hile, por Shtjefën Kostandin Gjeçovi,- kështu nis dokumentari mbi figurën e At Shtjefën Gjeçovit, një dokumentar që paraqet fund e krye formimin e tij fetar në shkollën françeskane dhe jetën e kontributin e At Shtjefën Gjeçovit si patriot, si poet, si përkthyes e në fund si mbledhës i traditës zakonore shqiptare. Një film që ka shumë elemente, në fakt, që nga një censurë e kujdesshme mbase nuk do ta kalonte aq kollaj “klasën” për t’u shfaqur për publikun, por sigurisht që këtë e shpjegon fare mirë vetë regjisorja Donika Muçi.

Përse zgjodhët figurën e At Shtjefën Gjeçovit, për ta portretizuar në një film dokumentar?

Mua më pëlqenin shumë portretet dhe vazhdoj akoma dhe sot të bëj dokumentarë mbi personalitete të shquara. Gjithmonë më ka impresionuar figura e At Shtjefën Gjeçovit. Ai ishte i gjithanshëm, ishte një fenomen për mua. Ai ishte patriot, poet, përkthyes, etnograf, arkeolog.

Po, por ishte dhe një prift françeskan dhe në dokumentar formimi i tij fetar zë një vend të madh. Edhe figura e tij (përmes një figuranti) paraqitet me veshjen françeskane dhe me shkopin e kryqin varur në rrip. Si janë “kapërdirë” këto elemente nga censura?

Ai ishte një prift françeskan patriot, mik i ngushtë me At Gjergj Fishtën. Sigurisht që fakti se ishte prift ishte i papranueshëm për atë kohë. Megjithatë, unë si regjisore kam qenë natyrë shumë kokëfortë dhe mendoj se e solla me kokëfortësi, ashtu siç ai ishte në të vërtetë. Unë nuk kam bërë shumë filma dokumentarë politik, pasi isha e përqendruar më shumë te temat kulturore dhe personalitetet e artit dhe kulturës.

Dokumentari “Shtjefën Gjeçovi” ka shumë elemente që sot tingëllojnë normale, por që në atë kohë, duke pasur parasysh sistemin në të cilin është realizuar, nuk ishin aspak normale, si p.sh. vlerësimi që jep Enver Hoxha për Kanunin e Lekë Dukagjinit, që në film duket se përbën pikën kulminante...

Në fakt, në filmin që unë realizova, e kisha anashkaluar këtë detaj. Do me thënë Enver Hoxha nuk ishte pjesë e dokumentarit, sepse ai fliste për figurën e At Shtjefën Gjeçovit.

Po si ndodhi atëherë që ndryshoi nga origjinali?

Kur e mbarova filmin, ashtu siç ishte procedura, ai shihej një herë nga kolektivi i kinostudios “Shqipëria e Re” e më pas kalonte nëpër filtra të tjerë. Por, që në momentin e parë që e shfaqa para kolektivit, ata sigurisht e pëlqyen, por nga ana tjetër më “sugjeruan” që duhej të përfshija patjetër në film edhe ndonjë “postulat” apo ndonjë citat të Enver Hoxhës. Kështu, pa kaluar nëpër filtra të tjerë, u detyrova ta riinçizoja dhe një herë atë pjesë dhe shtova atë që Enver Hoxha ka thënë për Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Por ama, në gjithë deklaratat e tij gjetët një frazë të thënë prej tij, që në fakt duket se është një vlerësim që vetë diktatori i bën Kanunit të Lekë Dukagjinit, që në fakt komunizmi e anatemoi totalisht atë duke e lënë në harresë...

Pikërisht për këtë arsye është bërë ajo zgjedhje. Edhe kanuni, ashtu si fakti që At Shtjefën Gjeçovi ishte një prift françeskan, nuk mund të pranohej. Por siç ju thashë, kam qenë një natyrë kokëfortë. Nëse unë kisha marrë përsipër sfidën të realizoja një dokumentar mbi figurën e At Shtjefën Gjeçovit, një nga kontributet e tij ishte edhe përmbledhja e Kanunit të Lekë Dukagjinit, përveç vlerave të tjera që ai kishte si figurë, nuk mund të pranoja që ky fakt të anashkalohej. Nuk mund ta lija Shtjefën Gjeçovin pa këtë pjesë të tij. E tregoj si patriot, e tregoj si poet si arkeolog, ku sot ka dhe një shpellë në Shkodër që mban emrin e tij dhe mos ta tregoja si përkthyes ose mbledhës i një tradite të tillë kanunore, është diçka që nuk mund ta bëja, sepse filmi nuk do të ishte i plotë.

Po si i shpëtuan censurës gjithë këto elemente në dokumentarin mbi Gjeçovin?

Nuk e di. Di të them vetëm se i shpëtoi dhe nuk di sesi ka ndodhur, por mendoj se më tepër i ka shpëtuar censurës për shkak të rrethanave dhe momentit që unë zgjodha në film, për të përfshirë këtë pjesë në film. Në fakt, edhe zgjedhja që bëra për të përfshirë Enver Hoxhën në këtë dokumentar, në këtë këndvështrim ishte një tjetër sfidë.

Po fakti që filmi është realizuar në vitin 1985, kur mendohet se censura ishte zbutur disi ka ndikuar?

Nuk mendoj se ka të bëjë shumë viti sesa shpjegimi që dhashë më sipër, që në kinostudio ne ishin aty për të bërë politikën e partisë dhe kjo bënte që shumë gjëra të shpëtonin

Ka një moment në film që duket se Gjeçovi shpreh një lloj zhgënjimi nga qeveria e Fan Nolit?

Po, por ajo është shumë sipërfaqësore, sot mbase mund të kuptohet ashtu, por në fakt nuk është ose në saktë nuk është bërë me këtë qëllim. Dua të theksoj diçka përsa i përket censurës në kinostudion “Shqipëria e Re”. Në tërësi ne si kinostudio, ngaqë ishim në vijën e parë të frontit të propagandës, bënim filma që shkonin me vijën e politikës së partisë dhe censura bëhej paksa si me lezet, ashtu siç dhe ne i rrëshqisnim po me aq lezet ndonjëherë vijës politike. Prandaj mendoj se censura nuk ishte aq e rreptë sa në fakt paraqitet sot, prandaj dhe shumë pjesë, fragmente apo dhe filma kanë arritur t’i shpëtojnë shpesh herë censurës.

A ndiheni profesionalisht e vlerësuar nga kjo iniciativë e Arkivit të Filmit për të sjellë në kujtesë të publikut ato pak femra kineaste që kanë dhënë kontributin e tyre në kinematografinë shqiptare?

Jam me të vërtetë shumë e lumtur, që më në fund u kujtuan edhe për ne. Se ç’është e vërteta ne na kanë harruar, në përgjithësi si dokumentariste na kanë harruar. Më bëhet shumë qejfi që po na kujtojnë të gjitha. Ne kemi qenë gjithsej 6 regjisore, por nga këto jemi vetëm 2 këtu në Shqipëri, dy nuk jetojnë më, dhe dy të tjera nuk jetojnë në Shqipëri por jashtë.

Tani që shihni dokumentarët tuaj pas kaq vitesh, çfarë mendoni?

Është dhe emocioni pas kaq vitesh. Unë do të them diçka. Ne përfundonim filmin e shihnim pastaj me kolektivin, kalonte nëpër të tjera struktura e më pas shfaqej në kinema. Pasi përfundonte këtë cikël, rikthehej në kinostudio dhe kishte raste që ne vinim filmat tanë për t’i riparë. Sa herë shihja ndonjë film timin mendoja: “Pse unë e kam këtë film”. Edhe sot më erdhi i njëjti mendim, sidomos kur pashë dokumentarin mbi Shtjefën Gjeçovin, por dhe filmin tjetër “Qyteti kështjellë”, që i dedikohet Beratit dhe kulturës së këtij qyteti.

Mozaikët dhe si mjet propagande...

Studentët e Institutit të Arteve zbukuronin mjediset social-kulturore me mjeshtërinë e mozaikëve të tyre, që sigurisht si ide kishin vijën e partisë. Këta mozaikë, ashtu si mozaikët e tjerë në vendin tonë, gjenin motive nga realiteti ynë socialist, duke luajtur një rol të dukshëm në edukimin ideo-estetik të masave popullore. Ky ishte, pak a shumë, thelbi i dokumentarit “Mozaikët” i regjisores Donika Muçi që u shfaq dje në AQSHF. Kudo në Tiranë, Durrës e qytete të tjera të Shqipërisë socialiste “skalitej” figura e palodhur e klasës punëtore që punonte e kalitej nën mësimet e Partisë. Por përtej propagandës dokumentari “Mozaikët” është një dëshmi e vlerave artistike të qyteteve tona, që ne sot i kemi humbur nga betonizimi. Rrugët e “qëndisura” me gurë nga studentët e Institutit të Arteve, të bregdetit të Durrësit, sot nuk kanë as nam e nishan. Madje dhe mozaikët që zbukuronin disa prej apartamenteve të banimit janë “gllabëruar” nga shtesat pa leje që kanë mbirë vend e pa vend në pallatet e dikurshme. “Mozaikët” që sot janë kthyer në “Beton”- një skenar tjetër ky i realitetit ku jetojmë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›