E Diel, 1 Nëntor 2026

Letrat e fëmijërisë së Mbretëreshës Elizabeth II dalin në ankand, pritet të shiten deri në 4 mijë paund

Një letër dhe disa skica të panjohura më parë nga fëmijëria e Mbretëresha Elizabeth II do të dalin në ankand në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u zbuluan rastësisht në një valixhe të vjetër të vendosur poshtë një shtrati.

Dokumenti po ofrohet nga shtëpia e ankandeve Hansons Auctioneers dhe pritet të shitet më 27 shkurt, me një vlerë të përllogaritur mes 2,000 dhe 4,000 paundëve britanikë (rreth 2,500–5,000 dollarë).

Sipas mediave britanike, marrësi i letrës ka ndërruar jetë në vitin 1993, ndërsa përmbajtja e saj u zbulua vetëm dy vite më parë. Letra ishte dërguar kur Elizabeth ishte rreth 10 vjeç, gjatë pushimeve në Cornwall.

Në faqe gjenden disa skica të vizatuara me dorë, përfshirë kuaj – një nga pasionet më të mëdha të mbretëreshës së ndjerë. Po ashtu, janë vizatuar figura të një djali të quajtur “Xhon”, një vajze të quajtur “Mari” dhe një qeni me emrin “Xhim”.

Në shënimin e saj, e reja Elizabeth përshkruan natyrën përreth dhe përmend lule të egra të mbledhura gjatë pushimeve. Ajo shkruan për shëtitjet drejt plazhit nga kopshti dhe interesohet për zogjtë dhe peshqit e kuq në shtëpi, duke e mbyllur letrën me përshëndetje të përzemërta.

Sipas Justin Matthews nga shtëpia e ankandeve, letra ka gjasa të jetë shkruar mes viteve 1936 dhe 1940, përpara se familja mbretërore të zhvendosej në Kështjella Windsor gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai theksoi se dokumenti ofron një pasqyrë të rrallë të një fëmijërie idilike para luftës, duke kujtuar se në atë periudhë ishte e zakonshme që fëmijët të mbanin korrespondencë me stafin e shtëpisë që kujdesej për ta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›