Levan-Tepelenë, Berisha: PS, bllokoi ndërtimin e rrugës

Kryeministri Berisha inaguron sot 38 kilometrat e parë të superstradës Levan-Tepelenë, në segmentin Levan-Damës. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha akuzoi opozitën se ka bllokuar ndërtimin e kësaj rruge.
“Ne ndërtojmë rrugë ndërsa ata bllokojnë. Nuk votuan në Parlament shtesën që u kërkua për ndërtimin e kësaj rruge. Ata nuk votuan sepse donin të bllokonin përfundim e saj para zgjedhjeve. Zoti Rama donte me çdo kusht që të shkonte në Vlorë me rrugën e vjetër. Kishin problemin që ne të mos i inagurojmë rrugët para zgjedhjeve por ne do të vazhdojmë në mënyrë të vazhdueshme ndërtimin e rrugëve. Jo bllokimi por zhvillimi ajo që kanë nevojë jetike shqiptarët dhe brezat e këtij vendi. Zhvillimi është potenciali më i madh i këtij vendi dhe ne do të bëjmë gjithçka për të zhvilluar Shqipërinë” tha Berisha.
Kryeministri Berisha e ka cilësuar ndërtimin e superstradës Levan-Tepelenë si shërbimin më të mirë për qytetarët dhe turistët ndërsa ka premtuar se qeveria do të bëjë gjithçka për qytetarët duke ndërtuar dhe asfaltuar çdo rrugë. Sipas tij, studimet më të besueshme të Bankës Botërore kanë faktuar se çdo dollar i investuar në asfaltimin e rrugës kthehet në një fitim prej 4.6-5 dollarë, pra 460% më shumë.
“Rrugët janë punësim, sepse ato janë korridoret e energjisë së tregut. Vetëm lugina që qarkon kjo rrugë me prodhimet e saj mund të mbajë për një kohë të mirë tregun e Tiranës, por nxjerrja e prodhimeve në treg më parë ishte e pamundur, distanca që shkurton rruga është punësim, se cdo investitor që ka ndërmend të investojë jashtë Tirane përzgjedh qytete të tjera të jugut në të cilat arrin në një shpejtësi e transport shumë të mirë. Kjo është leva e Arkimedit për të nxjerrë njerëzit nga varfëria, për të bërë të vlefshme tokën e tyre, që të punojnë e të prodhojnë” tha kryeministri.
Gjithashtu shefi i qeverisë duke përmendur edhe raportin e EUROSTAT-it i cili theksonte Shqipëria ka ndërtuar më shumë rrugë se sa të gjithë vendet e rajonit duke shtuar se qeveria është e vendosur për krijimin e rrjetit më modern në Europë. “Ne në projektin tonë për një Shqipëri me rrugë moderne po ecim me shpejtësi. Këto ditë EUROSTA-t deklaroi se Shqipëria ka ndërtuar rrugë më shumë se të gjitha vendet e rajonit të marra së bashku. Ky projekt s`ka përfunduar pasi janë mijëra km rrugë për të ndërtuar por ne jemi të vendosur ta bëjmë Shqipërinë me rrjetin rrugor më modern në Europë dhe të bëjmë të mundur krijimin e vendeve të punës për shqiptarët në çdo skaj të këtij vendi” tha Berisha.
Superstrada Levan - Tepelenë është pjesë e Korridorit Veri - Jug dhe ka një gjatësi totale prej 70 km dhe vlerë 70 milion Euro. Rruga është ndarë në dy seksione: Levan -Damës dhe Damës - Memaliaj. Në këtë vepër janë ndërtuar 15 ura me gjatësi totale prej afro 500 m dhe 35 vepra të tjera hidraulike. Ky aks përfaqëson një nga infrastrukturat më moderne dhe më panoramike të vendit, dhe përshkon rrethet Fier- Vlorë -Tepelenë. Që nga dita e sotme segmenti rrugor Levan-Damës do të vihet në shfrytëzim të plotë për përdoruesit e automjeteve.