Lëvizja “Nano”, Agasi: Rama dështoi me “Presidentin”, PS-së i duhet lidershipi i Nanos
Ashpërsohet kundërvënia e mbështetësve të Nanos ndaj Ramës: Nëse nuk ofrohet bashkëpunimi, Lëvizja Nano do penalizojë ecurinë e Partisë Socialiste nën drejtim e Ramës
Ashpërsohet gjithmonë e më shumë kundërvënia e mbështetësve të ish-kreut të PS-së, Fatos Nano ndaj lidershipit aktual të kësaj partie, Edi Ramës.
Duke treguar qartazi tashmë pozicionin e tij politik në “Lëvizjen Nano”, një nga emrat më të njohur të bazës socialiste në Durrës, Bardhyl Agasi, rikthen në qendër të vëmendjen zhvillimet më të fundit politike.
Në një deklaratë për mediat sot, ai sqaron qëndrimin e tij mbi “Lëvizjen Nano”, hapat që do të ndërmerren në vijim për t’i dhënë kësaj partie pozitat që ajo meriton, rikthimin e ish kreut të PS në krye të saj, por nga ana tjetër ai komenton dhe qëndrimin e mbajtur nga kreu i opozitës mbi zgjedhjen e presidentit.
Teksa e konsideron qëndrimin e kreut të opozitës Edi Rama në rolin e tij, për zgjedhjen e presidentit si një gabim, Agasi sqaron se lufta politike, mbetet një garë politike, dhe të jesh në opozitë nuk do të thotë të biesh në pozitat e pasivitetit me justifikimin që të mungojnë votat, ashtu sikurse veproi Rama.
Ndërsa pohon se askush nuk mundet t’i mohojë apo deformojë historinë dhe vlerat më të mira ndër vite të PS dhe se askush nuk mundet ta nxjerrë Fatos Nanon jashtë kësaj force politike, “Lëvizja Nano”, shihet nga ish- deputeti i PS-së Bardhyl Agasi si një lëvizje që do t’i shërbejë forcimit të PS-së, e cila rrezikon të humbasë në zgjedhjet e ardhshme për shkak të gabimeve të njëpasnjëshme të ardhura nën drejtimin e lidershipit aktual.
Për më tepër ish deputeti i PS-ës Bardhyl Agasi ka bërë me dije se nëse nuk do të këtë reflektim e sinqeritet nga lidershipi aktual i PS, për të shtrirë dorën e bashkëpunimit me njëri-tjetrin, duke i lënë ata jashtë lojës politike, lëvizja e re do të penalizojë ecurinë e Partisë Socialiste nën drejtim e Ramës.
Ndërsa ka lënë të hapur dhe garën mes Ramës dhe Nanos për kreun e partisë socialiste.
Qëndrimit të Agasit i janë bashkuar dhe dhjetëra-qindra anëtarë të partisë socialiste në Durrës por edhe në komunat e bashkitë e qytetit, brenda rretheve të PS-së të cilët kanë shprehur haptazi mbështetjen e tyre nga lëvizjes më të re politike.