Berisha: Hidrocentrali Ashta, përbën një risi botërore – kryevepër në rrafshin mjedisor

Kryeministri Sali Berisha ka inspektuar sot Hidrocentralin e Ashtës në Shkodër. Kreu i qeverisë ka qenë i shoqëruar nga përfaqësues të bordit menaxhues të kompanive investuese dhe gjatë inspektimit të kësaj vepre ata kanë dhënë detaje mbi fuqinë prodhuese të energjisë elektrike të këtij HEC-i. Berisha tha se investimi është një nga më të rëndësishmit në rajon pasi teknologjia e përdorur në këtë hidrocentral është nga më të mirat. “HEC-i Ashta përbën një risi botërore, pasi është hidrocentrali më i madh që bazohet në teknologjinë më të avancuar të prodhimit të energjisë, siç është teknologjia e turbinave tubolare. Por ky hidrocentral përbën edhe një kryevepër në rrafshin mjedisor. Ai jo vetëm që nuk ka cenuar mjedisin, por mjedisorëve më duhet t’u them se ai e ka përmirësuar ndjeshëm atë, pasi me kanalin e hapur, peshqit do të mund të ngjiten nga deti, në ujërat e ëmbla të këtij kanali. Për shqiptarët në tërësi dhe mjedisorët në veçanti, ndërtimi në këto parametra i hidrocentralit të Ashtës është një kontribut i madh për mjedisin e tyre, pasi teknologjia e gjithçka tjetër kanë bërë të mundur të kursehet prodhimi i 114 mijë tonë dioksid karboni”- u shpreh Berisha. Ndërkohë Berisha është ndalur në investimet energjetike në vend të cilat kapin shifrën e 2.5 miliard eurove. “Nga viti 2007 e gjer më sot janë ndërtuar apo rindërtuar 46 hidrocentrale, janë në ndërtim e sipër mbi 100 të tjera, me një kapacitet prej 1400 megavat, investim rreth 2.5 miliardë euro dhe punësim 15-20 mijë punëtorë direkt dhe indirekt”- shtoi Berisha. HEC-i i Ashtës është një projekt i miratuar nga Kombet e Bashkuara për teknologjinë dhe standardet. Duke filluar nga 2013 në HEC-in e Ashtës do të prodhohen 240 milionë KËH energji elektrike, ku do furnizohen 100 mijë familje shqiptare.
...