Lëvizja e Legalitetit: Vendim i padrejtë i gjykatës ndaj princ Lekës

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) shprehu sot shqetësimin lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës së Shkallës së Parë, ku princi Leka Zogu u dënua me 16 muaj shërbim prove.
Në një njoftim për shtyp, PLL theksoi se “e konsiderojmë këtë vendim të padrejtë dhe të ndikuar nga motive politike, duke vënë në dyshim integritetin e procesit gjyqësor”.
PLL i bën thirrje Gjykatës së Apelit që ta trajtojë këtë rast me paanësi dhe profesionalizëm, duke e rishikuar vendimin mbi bazën e fakteve dhe drejtësisë.
“Besimi i publikut tek sistemi i drejtësisë nuk mund të rikthehet për sa kohë që vendimet e marra nuk reflektojnë parimet e ligjit dhe integritetin. Ne qëndrojmë plotësisht në mbështetje të Princ Lekës, të bindur në pafajësinë e tij dhe në vlerat që ai përfaqëson”, theksohet në njoftimin për shtyp të PLL-së.
Gjykata e Tiranës dënoi dje princin Leka Zogu me 1 vit burg, ku për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi zbriti në 8 muaj dhe u vendos pezullim në 16 muaj shërbim prove, për akuzën “Dhuna në familje”, ngjarje e ndodhur në mars 2024.
/k.s/